Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Rahovecit, Vlora Vuqiterna, i është lutur Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, që ta sigurojë terapinë Kaftrio për pacientët me fibrozë cistike.
Ajo ka treguar se vajza e saj është me fibrozë cistike, dhe në emër të gjithë prindërve, fëmijët e të cilëve përballen me këtë sëmundje, i ka kërkuar Ministrit Vitia që ta sigurojë këtë terapi.
“Si bashkëpartiake e juaja, por mbi të gjitha si nënë e një vajze që jeton me fibrozë cistike, në emër të të gjithë fëmijëve dhe familjeve që përballen çdo ditë me këtë sëmundje, ju bëj thirrje që kërkesën e Shoqatës së Fibrozës Cistike ta merrni seriozisht dhe ta trajtoni me urgjencën që meriton, sepse është e disata herë që kemi dërguar kërkesë”, shkroi ajo në Facebook.
Vuqiterna ka thënë se barnat dhe trajtimet që tashmë janë të qasshme në shtetet e rajonit “duhet të bëhen të qasshme edhe për fëmijët tanë”. “Ata nuk meritojnë të kenë më pak mundësi për të jetuar vetëm pse kanë lindur në Kosovë”.
Ajo theksoi se shumë familje dhe pacientë me fibrozë cistike po detyrohen që ta mendojnë migrimin.
“Sot, fatkeqësisht, shumë familje dhe pacientë me fibrozë cistike po detyrohen të mendojnë për migrimin, jo sepse duan të largohen nga vendi i tyre, por sepse këtu u mungon njëra prej mundësive më jetike për trajtimin e sëmundjes: Trikafta (Kaftrio)”.
“E dimë se kostoja e Trikaftës është e lartë dhe jemi të vetëdijshëm për sfidat buxhetore që kjo terapi mund të paraqesë. Por, nga ana tjetër, e dimë se buxheti për shëndetësi po rritet dhe shëndeti i fëmijëve tanë duhet të jetë një ndër prioritetet kryesore”, shtoi ajo.
Mungesa e kësaj terapie, thekson ajo, “ka një kosto edhe më të madhe njerëzore dhe shoqërore”.
“Po e theksoj mbi 170 paciente kanë qenë të regjistruar e rreth 60 pacientë janë për momentin. Nuk duam të marrim të njëjtën rrugë edhe ne…”.
Ajo ka treguar se si po tentojnë tash e disa vite nëpërmjet kërkesave të vazhdueshme me shpresën se do të realizohen.
“Edhe sa duhet të presim?!”, pyet ajo.
“A nuk duhet të na shqetësojë fakti që familjet tona po detyrohen të largohen nga vendi vetëm për shkak se fëmijëve të tyre u mungon qasja në një terapi që mund t’ua ndryshojë jetën??”.
Vuqiterna pohoi se nuk po kërkojnë privilegj. “Po kërkojmë të drejtën për jetë, frymëmarrje dhe trajtim dinjitoz për fëmijët tanë”.
“Zoti Ministër, pas çdo kërkese qëndron një fëmijë, një nënë, një familje dhe një betejë e përditshme për jetën. Ju lutem, dëgjojeni zërin tonë! Fëmijët tanë kanë nevojë për Kaftrio. Fëmijët tanë kanë të drejtë të marrin frymë!”.
Frymëmarrja, siç thotë ajo, nuk është luks. “Është e drejtë e çdo fëmije!”.
“FËMIJËT TANË KANË NEVOJË TË MARRIN FRYMË! Ne nuk kërkojmë më shumë se kaq. Kërkojmë vetëm të drejtën e tyre për të jetuar, për të marrë frymë lirshëm dhe për të pasur një jetë sa më normale”.









