Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 5 mijë e 100 euro, pasi ka shqyrtuar ankesat e paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) lidhur me përfshirjen e një vajze 10-vjeçare në një aktivitet elektoral të partisë.
Ankesat kishin të bënin me pjesëmarrjen e së miturës në një tubim të Vetëvendosjes, ku ajo ishte paraqitur para të pranishmëve me mesazhe politike gjatë fushatës zgjedhore si dhe me një gjuhë denigruse ndaj kundërshtarëve të VV-së.
Pas shqyrtimit të rastit, PZAP ka vlerësuar se përfshirja e të miturës përbën shkelje të rregullave zgjedhore, duke vendosur gjobën prej 5.100 eurosh ndaj subjektit politik.
Rasti kishte nxitur reagime edhe nga organizatat që monitorojnë procesin zgjedhor, të cilat kanë kërkuar respektimin e standardeve për mbrojtjen e fëmijëve dhe shmangien e përfshirjes së tyre në aktivitete politike e partiake.









