Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj akuzave dhe pretendimeve të fundit që, sipas tij, janë adresuar ndaj tij nga aktivistë dhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Rama ka ironizuar duke i quajtur “Lule Gjela” dhe duke akuzuar se “e paskan nisur ditën me atë që e bëjnë më së miri, me shpifje”.

Ai ka thënë se, sipas tij, lufta politike është degraduar në falsifikime, fabrikime dhe gjuhë rrugaçësh, ndërsa ka pretenduar se mesazhet e publikuara në Snapchat janë të fabrikuara.

“Kam mendu që secili njeri me inteligjencë mesatare e kupton që ato mesazhe të ‘Snapchat’ janë të fabrikume. Por, meqë paska nevojë me u thanë edhe publikisht, po ju them: janë të pavërteta, të fabrikuara dhe, për më tepër, të gërditshme!”, ka shkruar Rama.

Kreu i Prishtinës ka kritikuar gjithashtu Vetëvendosjen, duke thënë se kjo parti ka mbetur, sipas tij, “me bo politikë me Snapchat, me linçime në Facebook e me lajme të krijume prej inteligjencës artificiale”.

Rama ka mohuar edhe pretendimet lidhur me lëndët e legalizimit.

“Ju bëj ftesë publike, krejt grupit të asamblistëve të VV-së, merreni me vete edhe KALLXO.com e KOHA.net, me të cilët po ju bashkon tendenca për me e diskreditu shtetin, kapuni për dore dhe shkoni në Drejtorinë e Kadastrit dhe në Drejtorinë e Urbanizmit”, ka shkruar Rama.

Në fund, Rama ka thënë se pret që ata që kanë bërë akuzat të kërkojnë falje nëse faktet, sipas tij, i rrëzojnë pretendimet e tyre.

“E kur faktet t’jua rrëzojnë fabrikimin, ju pres me dalë po kaq zëshëm edhe me kërku falje”, ka shkruar Rama.