Kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, pas deklaratave të këtij të fundit për incidentin e ndodhur vitin e kaluar në Skenderaj, ku Kurti kishte pretenduar se vetura e Lushtakut kishte rrezikuar eskortën e tij, duke thënë se ka pasur tendencë te shkaktohej aksident.

Përmes një postimi, Lushtaku i ka quajtur “gënjeshtra dhe shpifje” akuzat e Kurtit për një tentativë sulmi me veturë, duke insistuar se rasti ishte trajtuar dhe mbyllur nga organet kompetente.

Sipas tij, për ngjarjen ekzistojnë raporte policore dhe pamje të kamerave të sigurisë që dëshmojnë se nuk ka pasur asnjë rrezikim në komunikacion.

“Po vazhdon me shpifje publike duke pretenduar rrejshëm për një ‘tentativë sulmi me makinë’ në Skenderaj. Për këtë rast ka raport zyrtar policor dhe pamje të kamerave të sigurisë që tregojnë se nuk ka pasur asnjë lloj rreziku”, ka deklaruar Lushtaku.

Ai paralajmëroi edhe padi ndaj Kurtit, duke thënë se do të ndërmarrë hapa ligjorë për deklaratat e bëra publikisht.

Në reagimin e tij, Lushtaku kritikoi edhe qeverisjen disa vjeçare të Kurtit, duke e akuzuar për mungesë projektesh dhe përçarje politike.

“Pas gjashtë vitesh në pushtet, Kosovës nuk i le asnjë projekt madhor, por vetëm propagandë, përçarje dhe viktimizim politik”, u shpreh ai.