Vlora Çitaku, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, duke iu kundërpërgjigjur kritikave të Bashkimit Evropian sa i përket Ligjit për Gjykatën Speciale, ka thënë se është normale që mes miqsh të ketë mospajtime, duke shtuar se ligji synon që ta kthejë në binarë procesin, sipas saj, të devijuar në Hagë.
“Është normale që ndonjëherë me miq të kemi mospajtime. Po besoj që do të kemi kohë të bisedojmë edhe me përfaqësuesit e BE-së dhe t’ua sqarojmë vullnetin politik të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës”, tha Çitaku për gazetarë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ajo theksoi se Kosova me ligj dhe “me vullnet kërkon drejtësi”. “Ne nuk po kërkojmë t’i ikim drejtësisë, përkundrazi. Po synojmë që procesin e devijuar dhe deformuar ta kthejmë në binarë të drejtë”.
Çitaku pohoi se Kosova është partner i BE-së dhe se partnerët diskutojnë e debatojnë. “Dhe unë jam e bindur që në fund do të ketë pajtueshmëri”.
Të martën, Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian dhe janë të papranueshme.
Këto komente, Kos i ka bërë para takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, ku ka kritikuar ndryshimin e rregullave ligjore.
“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme”, tha Kos.
Ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor, sipas Kos, bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, shtoi ajo.
Të martën e javës së kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale.
Ndryshimi i Ligjit u iniciua nga Partia Demokratike e Kosovës pasi që Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet burgim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet, Jakup Krasniqi me 25, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13.
Shqiptarët në Kosovë e kanë kundërshtuar aktgjykimin e Speciales. Ata për 21 ditë me radhë kanë protestuar kundër tij.
Përveç në Kosovë, protesta kundër vendimit të Speciales janë mbajtur edhe nga diaspora shqiptare nëpër vende të ndryshme të botës.









