Vjosa Osmani veç që s’ia përmendi Albin Kurtit emrin të dielën, kur në tubimin, siç e quajtën, të bashkimit të LDK-së fliste para masës.
Për atë që dikur me të formonte “binomin e ashtuquajtur të shpresës”, sot e thumbonte edhe me flamurin e Kosovës, që sipas saj nuk e vendos nëpër forume të brendshme.
“Ka nga ata që e quajnë veten të pazëvendësueshëm, pikërisht duke e mbajtur qytetarin peng të frikës, e viktimë të linçimeve. Të konsiderohesh si pengesë pikërisht kur flamuri i Kosovës nisi të ngrihej lart nëpër forume botërore, kur dikur as nuk na ftonin. Pengesë nga ata që nuk e ngrenë dot këtë flamur as brenda forumeve të tyre të brendshme, e lëre më në forume ndërkombëtare.” deklaroi Osmani.
Teksa ankohej se partia në pushtet ia ka mbyllur rrugët, ajo tërthorazi tha se pret që ato t’ia hapë populli.
“Ka një gjë që historia e këtij populli na e ka mësuar gjithmonë: rrugët e mbyllura nga frikacakët, gjithmonë hapen nga populli. Është populli që e di të vërtetën. Është populli që e njeh punën të cilën asnjë propagandë, asnjë linçim, asnjë manipulim nuk do të mund ta zhbëjë kurrë. Është populli që e kupton se kur një rrugëtim që është i mirë për Kosovën, ndërpritet padrejtësisht, ai nuk zhbëhet. Rikthimi është edhe më i fortë. Rikthimi është edhe më i qartë.” tha ndër të tjera Osmani.









