Nuk thonë më kot se ai që jeton me shpatë do të vdesë nga shpata. Shpend Ahmeti la shumë pak njerëz pa i quajtur të korruptuar. Tashmë, ai është vetë një i tillë, po si pak politikanë të tjerë. Sepse, korrupsioni i tij tashmë është protokolluar dhe vulosur në një gjykatë të Kosovës.
Shpend Ahmeti u ngjitë shpejt në skenën politike të Kosovës. I formuar nga një prej universiteteve më prestigjioze në botë, Harvard, Ahmeti korri çka jo pak quajnë sukses me partinë “Fryma e Re”, duke marrë rreth 2 për qind të votave në zgjedhjet e 2010-së. Tre vjet pas, tashmë i aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje, Ahmeti u bë Kryetar i Prishtinës. Një foto në jahtin e familjes Devolli e shndërroi në cak sulmi nga vetë Albin Kurti. Megjithatë, ai arriti të fitojë edhe një mandat si i pari i kryeqytetit nën siglën e VV-së. Por, karriera e tij, që me fluturimin e shpejt i ngjasonte emrit të tij, shpend, pësoi një rënie po aq të shpejtë. Ahmeti mori në dorë kontrollin e partisë së “të pakënaqurve të Kurtit”, Partisë Socialdemokrate, dhe arkëtoi shumë pak vota si kandidat për deputet në koalicionin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Të premten, Gjykata Themelore në Prishtinë i shqiptoi një dënim me 2 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë për mos-deklarimin e 172 mijë eurove.

Në tetor të vitit 2010, Shpend Ahmeti udhëheqte Institutin kërkimor “GAP” dhe ligjëronte ekonomi e politikë në Fakultetin Amerikan në Kosovë (RIT). Në një zyre tek lagjja “Qafa” në Prishtinë, bashkë me një pjesëtar tjetër të shoqërisë civile, udhëheqësin e Organizatës “KIPRED”, Ilir Deda, themeluan partinë “Fryma e Re”, shkurt FER. As dy muaj pas, në dhjetor të atij viti, Kosova zhvilloi zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qytetarët që dolën të hedhin votën në kuti, i besuan Ahmetit dhe FER-it rreth 16 mijë vota, apo 2.7 për qind të votës totale.

Pas këtij rezultati, FER-i u çmontua shpejt. Një pjesë e madhe e anëtarësisë u larguan nga formacioni atëherë i ri politik, teksa ekonomisti në krye të tij iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit. Kongresi i parë i kësaj partie pas ardhjes së tij e zgjodhi nënkryetar.
Ai u bë edhe i besuari i VV-së për garën e të parit të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 2013-së. Pasi e çoi kryetarin e deriatëhershëm të kryeqytetit, Isa Mustafa, në balotazh – Ahmeti, me 37 mijë e 604 vota, arriti që me ndihmën e Partisë Demokratike të Kosovës edhe ta mposhtë krejt në një fitore që u pa si senzacioni i atij procesi zgjedhor. Fitorja në Prishtinë ishte jo më pak historike edhe pse Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte humbur për herë të parë bastionin e saj lokal, gjë që s’kishte ndodhur asnjëherë.
Me t’u bërë Kryetar, Ahmeti shiti xhipin e Kryetarit dhe filloi që të udhëtojë nëpër Prishtinë me transport publik. Ai u bë mjaft i famshëm dhe paraqitej si dikush që duhej marrë shembull.
“Shikoni, nëse e ndjekin të gjithë shembullin e Shpendit, a e dini sa fitimi i madh është për buxhetin. Le ta bën secili Ministër, secili Kryetar Komune, secili zyrtar këtu. Se këtu edhe nëpunësi më i vogël ka xhip. Le ta ndjekin shembullin e Shpendit edhe e shihni çka bëhet. Shpendi po udhëheqë me shembull vetë”, deklaronte Albin Kurti, Kryetari i Vetëvendosjes.

Ai shihej edhe më pozitivisht kur prezantoi projektin për furnizimin e nxënësve të Prishtinës me shujta ushqimore, që përfshinin kifle dhe qumësht.
Këto, bashkë me disa kunja në qyshet e rrugëve të kryeqendrës, mbeten të vetmet projekte që mund të përmenden në këtë apo çdo tekst tjetër që nënvizon arritjet e Ahmetit si i pari i Prishtinës për 8 vjet.
Karriera e tij, një fluturim i shpejtë lart, mori një rënie të shpejtë, kur në mars të vitit 2017, si një i majtë solidar që ikte nga luksi, u pa në një fotografi në jahtin e familjes Devolli – pronare e Devolli Group, një ndërmarrjeje biznesore që partia e tij e portretizonin si oligarke.

As një javë pas, Albin Kurti, njeriu më gravitetin më të madh politik në Vetëvendosje, në foltoren e Kuvendit të Kosovës lëshoi pezm ndaj familjes Devolli. Po ky pezm, megjithatë, u pa si sulm ndaj Ahmetit dhe fotos së tij kontroverse.
Për të ruajtur plasaritjet e brendshme nga publiku, VV-ja e vendosi Ahmetin kandidat për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit të atij viti. Shpendi mori 76 mijë e 17 vota, duke u bërë njeriu i pestë më i votuar në listën e Vetëvendosjes.
Një votim i brendshëm për kandidaturën e Prishtinës në vitin 2017, i siguroi Shpendit edhe një herë besimin e VV-së për garën më të rëndësishme të lokaleve. Ai nuk e theu besimin, duke mposhtur Arban Abrashin e Lidhjes Demokratike të Kosovë, i cili e kishte çuar në balotazh. Ahmeti përsëri doli i fuqishëm me 42 mijë e 262 vota.
Më 7 mars 2018, dy herë kryetari i Prishtinës nxori në media një letër publike që njoftonte dorëheqjen e tij nga çdo post që mbante në Vetëvendosje, duke argumentuar se “motivi i vendimit është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në LVV nuk është më”.
Ai iu bashkua grupit të të pakënaqurve që përfshinin emra si ish-Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ish-Sekretari i Përgjithshëm, Dardan Molliqaj, e ish-nënkryetarja, Aida Dërguti, duke u bërë Kryetar i formacionit të ringjallur politik, Partisë Socialdemokrate, më 9 maj 2018.

Ndryshimi i partisë nuk i mjaftoi Ahmetit. Ai filloi edhe një “filtrim politik” me ekzekutivin e Ramush Haradinajt, njeriut që e kishte sharë aq shumë si anëtar i Vetëvendosjes e të cilit vendosi t’i radhitet pas si bashkë-udhëheqës i Delegacionit Shtetëror të Kosovës për bisedime me Beogradin.
Afrimi me Haradinajn nuk do të përfundonte këtu.
Në parlamentaret e 2019-së, si kryetar i PSD-së iu përvjelë garës për ulëse në Kuvend në koalicion zyrtar parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Ishte i fundit në listën zgjedhore, po edhe më vota nuk doli fort më mirë. Përkundrazi, Ahmeti dështoi keq. Mori rreth 70 mijë vota më pak se herën e fundit kur kishte garuar për këtë post. Vetëm 6 mijë sosh. Për më keq, asnjë nga kandidatët e partisë drejtonte, nuk siguroi ulëse Kuvendi.

Në dhjetor të atij viti, pas dështimit spektakolar, Ahmeti dha dorëheqje nga i pari i PSD-së, duke u tërhequr nga jeta politike e duke reduktuar vetën në një rol krejt administrativ në krye të Komunës, deri në përfundim të mandatit në vitin 2021.
Që atëherë, Ahmeti sporadikisht komentoi ngjarje politike dhe u pa pak në skenën publike.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës e gjeti Ahmetin e dërmuar politikisht të fshehur diku nga syri publik sikur 172 mijë eurot për të cilat e akuzonin se s’i kishte deklaruar.
Një vendim i Gjykatës Themelore të premten e 24 korrikut i dha goditjen e fundit Shpendit, që tashmë veç i humbur politikisht, ka humbur edhe imazhin e tij. Sipas këtij vendimi, Ahmeti do të burgoset për dy vjet. Jo pse po protestonte kundër korrupsionit dhe hajnisë, po pse diku gjatë rrugës, ky bashkudhëtar i Albin Kurtit u shndërrua vetë në një të tillë.









