Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të tregojë pjekuri politike për ndërtimin e një koalicioni funksional dhe sigurimin e zgjedhjes së presidentit.

Në një postim të publikuar në platformën X, Terras njoftoi se ka zhvilluar takime me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

“U takova me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini. E inkurajoj kryeministrin Albin Kurti që të tregojë pjekuri politike për të ndërtuar një koalicion funksional dhe për të siguruar zgjedhjen e presidentit. Kosovës i duhen institucione stabile për të avancuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Terras.

Terras vlerësoi se Kosova ka nevojë për institucione stabile në mënyrë që të vazhdojë përparimin në procesin e integrimit evropian.

Postimi i raportuesit të Parlamentit Evropian vjen në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me ngërç në konstituimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.