Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar qytetarët për besimin që ia kanë dhënë LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit, duke e vlerësuar pozitivisht rezultatin që mori subjekti politik që ai drejton. Abdixhiku ka thënë se tani është koha për t’i dhënë drejtim vendit, pas krizës.

LDK-ja doli e treta në zgjedhje. U rrit për 5 deputetë krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit. Ky rezultat, sipas Abdixhikut, është fillimi i rikthimit të kësaj partie.

“Nga dhjetori deri më sot nuk ka kaluar shumë kohë. Në çdo normalitet kohor, gjërat nuk do të ndryshonin kaq shpejt. As gjashtë muaj diferencë mes dy palë zgjedhjeve. Por për LDK-në, dhe vetëm LDK-në e askënd tjetër, ishte ndryshe. Këtë herë për të mbarë. Nga një krizë historike me apetite e projekcione të errëta, drejt një stabiliteti të ri. Drejt rikthimit të besimit duke qenë të vërtetë dhe duke qenë vetja. Dhe kjo është pasuria më e madhe që kemi sot. Qëndrojmë si LDK me 20 mandate”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

“Veprimtarëve tanë të palodhur – ju faleminderit! Ju jeni arsyeja e këtij rikthimi, prandaj kokën lart. Ju zotohem se nuk do të lejojmë që mundi juaj të shpërdorohet më nga asnjë protagonizëm individual. LDK-ja juaj është në rrugën e drejtë. Bashkimi sapo ka nisur; dhe siç ju kemi thënë ky bashkim nuk do të ndalet. Do të vazhdojmë angazhimin tonë gjithandej Kosovës. Që nga sot madje. Ka ende shumë njerëz që presin ftesën tonë, shumë energji të mira e të reja që duan të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi”, shtoi.

Ai theksoi se para vetes kanë reforma të thella të brendshme. “Na duhen njerëz që i japin vizionit tonë, që ndërtojnë bashkë me ne, e jo të tillë që vetëm marrin pa dhënë, pengojnë e shpresojnë në rrënim kolektiv për përfitim individual. Këto reforma do t’i bëjmë. Me prioritet, shpejtë dhe qartë si kurrë më parë”.

Por, përtej vetes, kreu i LDK-së theksoi se “tani është koha t’i japim vendit drejtim”. “Kosova jonë vazhdon të jetë në krizë. Kosova jonë ka nevojë për stabilitet”.

“LDK për të dytën herë arriti të krijojë parakushte për balancë demokratike para kontrollit absolut. Nuk ishte e lehtë. Pa punën tonë Kosova do të dukej e frikshme. Tani na duhet maturi, vizion, dhe apetit për zhvillim të vendit”.

Kur janë numëruar 100 për qind e votave – pa përfshirë ato me kusht dhe të diasporës – Lëvizja Vetëvendosje është renditur partia e parë me 42.91 për qind të votave.

E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.12 për qind. E treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.58 për qind, ndërsa e katërta Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.16 për qind.