Deklarimi i Murat Jasharit iu dha fund skemave të ndyta të Albin Kurtit me emrin e kësaj familjeje, megjithatë loja zgjati mjaftueshëm për të kuptuar diçka fort të rëndësishme.
Një pjesë e madhe e elektoratit të Vetëvendosjes nuk zgjedh askënd të Familjes Jashari para Vjosa Osmanit, të bijës së ish-funksionarit jugosllav.
Albin Kurti e ka kuptuar, nëse akoma nuk e ka ditur, se partia e tij më s’është e tij. Bërthama e kësaj partie tashmë janë militantët e listës GUXO. Faton Peci e ai Luan Gacaferi janë përfaqësuesit më të denjë.
Albin Kurti e ka kuptuar se Vjosa Osmani nuk është Dardan Molliqaj e as Visar Ymeri.
Sepse mjaftoi që Glauk Konjufca të japë këtë deklarim…
Dhe më pas komentuesit e grinë në komente.
Nga qindra komente, shumica absolute ishin njerëz që përkrahin Vetëvendosjen dhe pikërisht ata ia dhanë ofendimet, paralajmërimet e kritikat më të mëdha Konjufcës.
Janë qindra komente të tilla në veç një postim. Dhe janë mijëra, po të mblidhen nga të gjitha postimet e këtij deklarimi të Glaukut të shkretë, i cili, si një shpuzë që është, detyrohet të testojë ujërat për Kurtin.
Kjo është një pjesë e madhe e elektoratit të Vetëvendosjes. Për ta, Familja Jashari është e njëjtë si Hashim Thaçi, si Sami Lushtaku e si secili tjetër që, në luftën e fundit, ua shkatërroi të ardhmen e imagjinuar në Jugosllavi a Serbi, që për ta ishte epokë e artë.
Të tillët jo veç që nuk e falin, por as kurrë nuk do të mund ta tejkalojnë faktin se ata që e organizuan UÇK-në nuk ishin disa barbarë me thjesht impuls lufte, por njerëz me vetëdijen më të lartë kombëtare, që ditën t’i artikulonin qartësisht kërkesat politike të popullit.
Këta nuk e pranojnë dot se fshatarët e UÇK-së ditën të jenë bartësit më shembullorë të idealeve patriotike e politike dhe çliruan kombin nga mizoria e madhe e padrejtësia e skajshme.
Këta nuk e falin dot faktin se, në kohën kur ata besonin se “me Serbinë nuk luftohet”, doli një grup tjetër që refuzoi vasalitetin e pati vetëdije shtetëformuese, përkundër grupit tjetër të nënshtruar, dhe s’përtoi të ngrihej në lartësitë më të mëdha të vetëdijes njerëzore – të japë edhe jetën, i bindur se ia vlen për të mirën kolektive të kombit.
Këta nuk e falin as Albin Kurtin, tashmë veglën e tyre, nëse ai guxon t’i ikë Osmanit me fije jugosllave e të shkojë kah Jasharajt. Prandaj Albin Kurti nuk e largon dot Vjosa Osmanin, edhe po të dojë.
Nuk guxon.








