Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se është i gatshëm ta marrë drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndonëse ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë për kryetar të partisë në zgjedhjet e brendshme.
Në emisionin “DPT te Fidani”, Rama tha se është absolutisht i gatshëm për këtë angazhim, duke bërë të ditur se për këtë çështje ka biseduar si me kryetarin aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ashtu edhe me anëtarë të tjerë të partisë.
Rama theksoi se ka qenë vazhdimisht i gatshëm ta ndihmojë LDK-në dhe se synon të kontribuojë në përmirësimin e pozicionit të saj politik.
“Unë i kam ndihmuar Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas 12 viteve, LDK është e para në kryeqytet, dhe e kam ofruar, po them, ndihmën time gjatë gjithë kohës dhe vazhdoj me e ofru këtë ndihmë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se do të vazhdojë të jetë pranë partisë.
“Normal që jam i interesuar me i ndihmu Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe me nxjerr prej aty ku është. Si gjithmonë, kam qenë aty për ta, jam aty për ta, do të jem aty për ta”, deklaroi Rama.
Megjithatë, i pyetur nëse do të kandidojë për kryetar të LDK-së, Rama tha se ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar.
“Ende nuk e kam marrë vendimin, por besoj që po!”, u shpreh ai.









