Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i është gëzuar fitores së koalicionit VLEN në zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut, derisa ka konsideruar se në qeverisjen qendrore VLEN – që bashkqeveris me partinë nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE – ka qeverisur me duar të pastra dhe kanë bërë një dallim etnik me qeverisjet e kaluara.
“Nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Dy miqtë e mi, Izeti [Mexhiti] e Bilalli [Kasami], triumfuan me meritë sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen, me diferencë të thellë”, shkroi Kurti në Facebook.
Suksesi në zgjedhjet lokale, sipas Kurtit, “është konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it, i vullnetit për ndryshim te shqiptarët dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut”.
Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i, sipas Kurtit, “ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara”.
“Pikërisht kjo frymë e ndryshimit, ka sjellur një bashkëpunim të hapur e shumë dimensional mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut”.
Ai thekson se nga takimi përmbajtësor i dy qeverive – asaj të Kosovës dhe RMV-së – e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, “Kosova e Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore”.
“Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoni të Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë”, shtoi ai ndër të tjera.
Ndryshe, në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut, koalicioni VLEN fitoi shumicën e komunave shqiptare, përfshirë dy qendrat kryesore: Tetovën dhe Çairin.









