“Këta njerëz, do të mbahen mend si superkriminelët më të mëdhenj në historinë e Kosovës me i përdor termat e tyre”.
Kështu i ka thënë Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që deputeti i tyre, Avni Dehari, ftoi vazhdimin e seancës konstituive më 9 shtator.
“Ajo që ka ndodh sot është që një person vetëm, që i ka zaptu institucionet në mënyrë të paligjshme, e i cili është toleruar nga të gjitha partitë politike me ia caktu vetvetes edhe 30 ditë, edhe këto 30 ditë që i ka caktu vetë i ka shkel”, tha Gjini në një konferncë për media të premten.
Kosova, vlerëson Gjini, tashmë “është vetëm jashtë normave të rregullimit të vetë kushtetues. Kjo është anarki thënë më së buti”.
“Këta po e dëmtojnë të ardhmen e vendit tonë. Këta po krijojnë precendete të cilat po iu premtoj që një ditë do të përfundojnë, mirëpo do të na duhet shume kohë për me dal prej krizës edhe katrahurës të cilën tashmë e kanë shkaktu”, shtoi ai.
Gjini konsideron që Kurti “nuk ka lënë rrugë për zgjidhje normale dhe kushtetuese në Kosovë”. “I ka mbyll të gjitha rrugët për me bisedu për të ardhmen e vendit. Po dëshiron me e caktu vetë datën e zgjedhjeve përmes shkeljeve të njëpasnjëshme kushtetuese”.
“Sot në Kosovë nuk ekziston asnjë autoritet që e ushtron detyrën e vetë e që nuk e shkel ligjin edhe Kushtetutën përpos komunave të Kosovës”, potencoi Gjini.









