Faton Peci, kandidati i Vetëvendosjes për Mitrovicën që doli fitues në zgjedhjet lokale, është lëshuar në lavde për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Në një postim në profilin e tij në Facebook, ai, të parit të VV-së i është referuar si “trim, i ndershëm e sypatrembur”.

“Falënderim i veçantë për Kryeministrin Albin Kurti për mbështetjen dhe besimin gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Shembull i njeriut të drejtë e trim, i ndershëm e sypatrembur, që i doli zot Mitrovicës dhe Republikës, nuk u tërhoq përballë kërcënimeve, shantazhit e presioneve të padrejta, goditi në rrënjë kontrabandën, krimin, strukturat paralele dhe të gjitha padrejtësitë e grumbulluara me vite, duke i kthyer qytetarëve besimin, sigurinë dhe dinjitetin, e Mitrovicës madhështinë e krenarinë”, shkroi mes tjerash Peci.

Në raundin e balotazhit të mbajtur dje (e diele, 09 nëntor), Faton Peci triumfoi përballë Arian Tahirit të Partisë Demokratike të Kosovës. Peci mori 53.45 për qind, krahas 46.53 sa fitoi Tahiri. Gjatë gjithë fushatës elektorale, mirëpo edhe në Ditën e Zgjedhjeve, Mitrovica ishte qendra ku qëndruan vazhdimisht Albin Kurti dhe figura tjera të pushtetit qendror.