Jakup Krasniqi, ish-Kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se ai dhe krerët e tjerë të UÇK-së që po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte, kanë luftuar për liri dhe se Kosovën ia kthyen popullit.

“Populli ynë kurrë nuk ka kërkuar shkatërrimin e një kombi tjetër, etnie apo feje. Ne luftuam vetëm për jetën, lirinë, demokracinë, barazinë dhe drejtësinë. Jo për të kontrolluar territor për dominim, për lakmi apo përfitim kriminale, qëllimi ynë ishte ta kthenim Kosovën te populli i saj, te i gjithë populli i saj, që ata të jetonin me dinjitet, siguri dhe me të drejta të barabarta”, tha Krasniqi në fjalën e tij përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Çdo akuzë që thotë të kundërtën, në vlerësimin e Krasniqit, “është vazhdim i gënjeshtrave të prodhuara nga regjimi kriminal i Serbisë”.