Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar Glauk Konjufcën, nënkryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, si mandatar të dytë për krijimin e Qeverisë së re.

Këtë e bëri të ditur Osmani në një konferencë për media të martën.

“Sot, në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me tri aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, kam mandatuar Glauk Konjufcën kandidat tjetër për Kryeministër, ashtu siç qartë e kërkon dhe e përcakton edhe neni 95, pika 4…”, tha Osmani.

Ky vendim i Presidentes vjen pas takimeve që pati fillimisht me Kryetarin e VV-së, Albin Kurti, dhe më pas me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Konjufca u propozua si mandatar i dytë për krijimin e Qeverisë së re nga Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, të martën.

Këtë propozim, Kurti theksoi se po e bën “për shkak të vlerësimit e besimit të madh që kam dhe që kemi të gjithë ne bashkë te Glauku, por edhe për shkak që të mos bëhen dy herë zgjedhje – edhe në dhjetor, edhe në prill”.

Nga ana tjetër, partitë e ish-opozitës – PDK, LDK dhe AAK – kanë kundërshtuar propozimin e VV-së për mandatarin e dytë, duke kërkuar zgjedhje të reja.