Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka dorëzuar padi për shpifje ndaj Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dy ditë pas deklaratës së këtij të fundit ku pretendoi se Lushtaku ka pasur për qëllim ta godiste autokolonën e tij janarin e vitit 2025 në Skenderaj.
Lajmi është bërë i ditur nga Lushtaku, përmes një postimi në Facebook. Të martën, kreu i Skenderajt, përmes avokatit të tij, i kërkoi Kurtit që brenda 24 orëve ta tërheqë deklaratën e tij dhe të kërkojë falje, përndryshe do ta padiste.
“Sot përmes avokatit tim kam dorëzuar padi për shpifje ndaj Albin Kurtit, pas deklaratave të pavërteta dhe tendencioze ndaj meje”, shkroi Lushtaku.
Kreu i Skenderajt theksoi se “nuk do të lejoj që emri im, kontributi im dhe dinjiteti im të përdoren për propagandë politike, mashtrime publike e shpifje të ulëta”.
“Kjo është një përgjigje e qartë për çdo tentativë linçimi politik. Çdokush që shpif e manipulon me të pavërteta, do të përballet me të njëjtin veprim dhe me përgjegjësi para ligjit!”, potencoi Lushtaku.









