Deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiç, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Atje ndaj tij dhe Urosh Vukasinoviçit ka nisur gjykimi për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Konkretisht, Simiç dhe Vukasinoviç akuzohen se nxitën protestuesit që të sulmonin gazetarët gjatë tensioneve në Leposaviq në qershor të vitit 2023. Siç thotë aktakuza, dy të lartëpërmendurit, gjatë një proteste kundër vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë nxitur turmën për sulm ndaj mediave.

Ndërkaq, Vukasinoviçi akuzohet edhe për veprën penale të sulmit.