Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka thënë se askush nuk ka fituar në Prishtinë, edhe pse zyrtarisht kandidati i partisë së tij Hajrulla Çeku ka humbur garën për kryetar, meqë është mposhtur nga Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Është e qartë se në Prishtinë askush nuk është fituesi ndërsa humbësi më i madh është qytetari i saj. Lëvizja Vetëvendosje humbi jo nga shpalosja apo bashkimi i ideve por nga koalicioni i pazareve të llojeve e niveleve të ndryshme. Koalicioni LDK-PDK-AAK, oligarkë e disa kuazimedia do ti kushtojë më së shumti qytetarit”, shkroi ai në Facebook.

Por, Sveçla e ka pranuar se pritshmëritë e partisë së tij ishin më të mëdha, teksa ka theksuar se nëpër disa komuna “na duhet punë më e madhe, e në disa më shumë qartësim të konceptit kundrejt votuesit”.

“Mbetet që angazhimi ynë të minimizoj dëmin e zvogëloj çmimin gjithmonë në të mirë të qytetarit e shoqërisë”, potencoi ai.  

Përparim Rama i LDK-së ka fituar edhe një mandat si Kryetar i Prishtinës.

Me 100 për qind të votave të numëruara, Rama i ka marrë 51.54 për qind të votave apo 46 mijë e 935 vota, ndërsa Hajrualla Çeku i VV-së 48.46 për qind apo 44 mijë e 126 vota.