Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke qenë se ajo e së premtes dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se pret të vendosë për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, pasi që kthimi i tyre, sipas tij, nuk është i ligjshëm.
Largimin e gjyqtarëve, prokurorëve e policëve serbë nga institucionet e Kosovës, Kurti e quajti “akt politik, individual, ndonëse i organizuar” dhe akt sabotimi të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
“Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset Kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Në këtë linjë, gjithnjë sipas kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës, dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial. Ndërsa, sot teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës të vepronte njësojë, kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë të kuorumit. Presim që në mbledhjen radhës të marrë epilog të atillë edhe kjo çështje”, deklaroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë të premten.
Largimi serbëve nga institucionet, ai tha se ishte e organizuar dhe politikisht e motivuar dhe ishte “pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit”.
“Qysh atëherë e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione: ‘mos i braktisni ato’, ‘mos jepni dorëheqje’, ‘mos shkoni’, por nuk i kemi thënë e as nuk kemi të drejtë t’u themi kthehuni. Kishim të drejtë politike t’u themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore të ju themi kthehuni”, shtoi ai.
Bashkimi Evropian nga ana tjetër e ka kritikuar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe dekretimin nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, të largimit nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
“Bashkimi Evropian shpreh shqetësim për vendimin e djeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet, ndonëse ato ishin tërhequr më parë, si dhe për vendimin e sotëm të Ushtrueses së Detyrës së Presidentes për t’i dekretuar ato dorëheqje”, thuhej në reagimin e BE-së.
Ky vendim, sipas Unionit, “duket se nuk është në përputhje me ligjin, me parimin e procesit të rregullt ligjor (due process) dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”.
Prokurorët, gjyqtarët dhe policët serbë ishin dorëhequr nga institucionet e Kosovës më 5 nëntor 2022, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për largimin e targave ilegale nga automjetet të cilat ishin lëshuar nga Serbia dhe zëvendësimin e tyre me ato të Kosovës.









