Ish-Ministri i Britanisë së Madhe, Denis Macshane, është i bindur se nuk ka asnjë dëshmi bindëse që mund ta dënojnë ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili gjendet tash e më shumë se 5 vjet në paraburgim në Hagë si i akuzuar për krime të pretenduara lufte nga Gjykata Speciale.
Macshane, që ka shërbyer në Qeverinë e Kryeministrit britanez, Tony Blair, e quajti Thaçin “një nga arkitektët më të suksesshëm të komunikimit politik të kohës së luftës i cili arriti të bindte median ndërkombëtare dhe madje edhe Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, të refuzonin propagandën shumë më të sofistikuar dhe më të financuar të regjimit serb”.
Ai rikujton faktin se Thaçi vendosi “vullnetarisht të dorëzohej para Dhomave të Specializuara në Hagë në nëntor të vitit 2020.”
Macshane, që ka një karrierë të pasur edhe si gazetar e autor librash, adresoi kritika edhe ndaj disa qarqeve perëndimore për zhvillimet në Speciale.
“Shpresa naive e disa qarqeve perëndimore se udhëheqësit kosovarë mund të viheshin në të njëjtin plan moral e juridik me skuadrat vdekjeprurëse të regjimit të Millosheviç-it ka rezultuar një rrugë pa dalje”, tha ai këtë javë në konferencën “Urat e Kujtimit”, organizuar nga organizatat “Liria ka Emër” dhe KIPRED, që u mbajt në Prishtinë.
Duke reflektuar mbi procesin gjyqësor që është zhvilluar në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Macshane thekson se “deri më sot nuk është paraqitur asnjë dëshmi bindëse apo dëshmi e besueshme që do të mund të çonte në dënimin e tij.”
Në fund të fjalimit të tij, ai potencon se “aq shumë është investuar në idenë se gjykatat ndërkombëtare, gjyqtarët, prokurorët dhe procedurat ligjore mund të sjellin mbyllje plagësh, pajtim dhe harmoni pas konflikteve të përgjakshme, saqë askush nuk duket i gatshëm të pranojë një të vërtetë të pakëndshme: Kosova rrezikon të mbetet një shtet i cunguar, për aq kohë sa Bashkimi Evropian vazhdon të tolerojë fiksionin se njohja e saj e plotë si shtet nuk është e domosdoshme”.









