Ish-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur i bindur se nuk do të zgjidhet Presidenti në këtë legjislaturë dhe se Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
“Unë nuk e shoh që do të kemi President, unë e shoh që jemi zgjedhje. Se kjo shihet edhe me afatin 60 ditor që e konsumoi Kurti edhe VV”, tha Haradinaj në Kanal 10.
Ai paralajmëroi një skenar të ngjashëm nga Vetëvendosja sikur ai me Feride Rushitin, të cilën e propozuan në momentet e fundit.
“Kanë me pritë deri në ditët e fundit me e thirrë një seancë kanë më na qitë edhe një Feride një kandidat aty sa me arsyetu ecjen përpara, por nuk do të kemi President, do të kemi zgjedhje”.
Emri i Haradinajt është përfolur për President, por ai theksoi se nuk është kandidat dhe se nuk do që të bëhet pjesë e lojërave politike.
“Nuk jam kandidat edhe nuk dua të bëhem pjesë e lojërave politike. I falënderoj ata që besojnë në mua”, potencoi Haradinaj.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet që ta zgjedh Presidentin deri më 6 tetor.
Për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, Kosova kishte shkuar në zgjedhje te jashtëzakonshme parlamentare më 7 qershor.









