Një qytetar me inicialet I.M., që i beson narracionit të Serbisë për Kosovën (bazuar në tatuazhin e tij) e kanë prangosur pikërisht institucionet e Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se ai është arrestuar nën dyshimin për sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, bashkim për veprimtari kundërkushtetuese dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.
Pra, bëhet fjalë për pjesëmarrje në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në protestat e majit të vitit 2023.
“I.M. është arrestuar në Zveçan, pas ndërmarrjes së shumë veprimeve hetimore. Ai dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës do të ndërmarrin veprimet e nevojshme procedurale, në përputhje me ligjin dhe standardet më të larta ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.









