Paria Demokratike Kosovës i ka bërë thirrje Feride Rushitit që të tërhiqet nga kandidatura për Presidente, e cila u propozua nga Lëvizja Vetëvendosje.
Këtë qëndrim, në emër të PDK-së, e paraqiti Sekretarja e Përgjithshme e kësaj partie, Vlora Çitaku. Ajo tha se me tërheqjen e saj nga kandidatura, Rushiti do t’i bëntender shtetit.
“Nga zemra i bëj thirrje zonjës Feride Rushiti të tërhiqet nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurtit. E turpshme për shtetin dhe atë vet. Më vjen keq që ka pranuar të huazojë emrin e saj për maskaradë politike”, deklaroi Çitaku në një konferencë për media nga holli i Kuvendit.
Me veprimet saj, duke iniciuar proceduara për votim të Presidentit në seancën e së hënës edhe pse nuk kishte kuorum, deputetja e PDK-së theksoi se Lëvzija Vetëvendosje ka tejkaluar të gjithë kufinjtë.
Ajo theksoi se si opozitë do t’i ndërmarrin të gjitha masat për ta mbrojtur rendin kushtetues.
“Në këtë situatë reagimi opozitar dhe qytetar është detyrim për të mbrojtur rendin kushtetues dhe të ardhmen e vendit tonë. Ne si subjekt politik opozitar do t’ i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për këtë. Sot nga Kuvendi dua të apeloj te partia në pushtet që t’i ndërpresë të gjitha këto veprime karateje të dhunës politike. S’është kuvend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit”, shtoi ajo.
Në ora 14:00, pritet që të vazhdojë seanca e thirrur nga VV-ja për Presidentin. Kjo senacë filloi në mbrëmjen e së hënës.
Përkundër se nuk kishte kuorum, pra nuk ishin të pranishëm në sallë 80 deputetë, ashtu siç e kërkon Kushtetuta, Vetëvendosja filloi procedurat për zgjedhjen e Presidentit.
Madje, e mbajtën edhe një raund të votimit, në të cilin, Feride Rushiti mori 63 vota. Pasi numërimit të votave, Kryetarja e Kuvendit, e ndërpreu seancën dhe e shtyu të njëjtën për të martën për në ora 10:00. Edhe kjo seancë u shty për në ora 14:00.
Opozita reagoi ashpër njëzëri ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si “përmbysje të rendit kushtetues” dhe paralajmëruan edhe protesta e masa të tjera kundërshtuese.









