Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ai i Aleancës, së bashku me disa përfaqësues të organizatave studentore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, janë mbledhur para objektit të Qeverisë, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit.

Granit Spahiu, përfaqësues i studentëve, ka thënë se kriza institucionale është një mesazh i keq për një gjeneratë të tërë, derisa kërkoi që të mos nënvlerësohen studentët.

“Kjo nuk është vetëm një krizë politike, por është edhe një mesazh shumë i keq për një gjeneratë të tërë. Ne na thoni çdo ditë: mësoni, punoni dhe ndërtoni të ardhmen këtu. Por, si ta ndërtojmë të ardhmen këtu, kur ata që duhet të ndërtojnë të tashmen nuk po funksionojnë? Ne nuk duam privilegje. Duam një universitet që na ec përpara, duam mundësi për të rinjtë, dhe duam institucione që punojnë. Duam edhe një shtet që nuk na detyron të largohemi, por na mundëson që të krijojmë të ardhmen këtu”, tha Spahiu.

“Dhe ka diçka tjetër që dua ta them: Mos e nënvlerësoni asnjëherë studentin. Sepse shumë herë në historinë e këtij vendi, kur të tjerët kanë pritur, studentët gjithmonë kanë dalë. Kur të tjerët kanë heshtur, vetëm studentët kanë folur. Dhe kur është dashur ndryshim, studentët gjithmonë kanë qenë aty”, shtoi.

Të rinjtë që aktualisht janë studentë, kanë parë krizën institucionale të vazhdojë për vite, tha deputeti i PDK-së, Përparim Gruda. Sipas tij, kjo situatë, po ndikon edhe në mundësitë e tyre për punësim dhe qëndrim në Kosovë.

“Këta studentë që kanë ardhur sot duhet të kishin qenë fëmijë kur Albin Kurti ka fituar zgjedhjet në vitin 2020. Duhet të kishin qenë në gjimnaz ose në shkollë fillore. Sot janë studentë edhe shohin të vazhdojë e njëjta krizë. Dikush që në vitin 2020 kur ka fituar Albin Kurti ka qenë nxënës, sot mund të jetë i diplomuar në universitet edhe pret të gjejë një vend pune. Në fakt e vetmja gjë që ju ka ofruar mbasi ka diplomuar është largimi prej Kosovës”, tha Gruda.

Ai theksoi se “300 mijë njerëz e kanë lëshuar Kosovën për 5 vjet”. “Ky nuk është migrim, kjo nuk është lëvizje e njerëzve, kjo është zhvendosje masive e njerëzve prej Kosovës”.

“Dhe kjo ndodh sepse përveç qeverisjes, sot është përmbysur rendi kushtetues. Si mund të presë një i ri që ka ardhur sot me neve këtu që të bëhet diçka për të, për familjen e tij, për prindërit e tij, për një vend pune që kërkon pas diplomimit kur organi kryesor i vendit mbahet i bllokuar”.

Bllokimi i Kuvendit, shkelja e njëpasnjëshme e kushtetutës, Gruda pohon se nuk është një çështje formale. Sipas tij, është simptoma “e një pushteti anarkik, e një pushteti autoritar që s’njeh asnjë normë, përkundrazi përmbys çdo normë, që s’ka asnjë respekt për qytetarin e Kosovës, po mbi të gjitha nuk ka respekt për votuesin e tij”.

Deputetët e PDK-së dhe ata të Aleancës janë duke protestuar që disa ditë. Ata kanë vlerësuar se është “cenuar rendi kushtetues” me kalimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.

Sipas Kushtetutës, Kuvendi duhej të konstituohej më së largu më 7 gusht. Por, VV-ja, përkundër se i kishte 61 votat e nevojshme, nuk e bëri.

Kurti tha se i duhet ende kohë për të arritur një marrëveshje politike me partitë, posaçërisht për çështjen e Presidentit.

Të martën, Kurti zhvilloi edhe një takim të radhës me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pikërisht për Presidentin.

Ata thanë se kanë diskutuar për profilin e Presidentit dhe se në takimin e radhës do të shkojnë me propozime të emrave konkretë, por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje.