“Ekziston lidhja e shkurt e hajnisë në energji. Kryehajni është Albin Kurti, kryehajneshë është Dejona Mihali dhe vazhdon një listë e gjatë”.
Kështu ka thënë Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën e Kuvendit, ku po diskutohet për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.
Haradinaj ka thënë se anulimi i termocentralit të ri, projektit Kosova e Re, “është dëmi më i madh që i është shkaktu Kosovës edhe popullit të Kosovës pas lufte”.
“Pra s’ka goditje më të madhe që i ka ndodhë Kosovës anulimi i një termocentrali prej 500 megawat është jo vetëm dëm energjetik është dëm në siguri, është dëm në pavarësinë tonë politike, por edhe në çdo sferë tjetër të jetës tonë shkaktari ose arkitekti kryesor i anulimit të këtij projekti 500 mega wat me qymyr të Kosovës e me çmim 80 euro të mega watit është Albin Kurti edhe grupi rreth tij”.
Haradinaj deklaroi se Kosovën, Kryeministri Albin Kurti dhe grupi rreth tij “e ka lanë pa një termocentral të ri 500 mega wat, e ka dorëzuar pavarësinë energjetike të Kosovës dihet mirëfilli ku”.
“Ky është një fakt që askush asnjë në këtë sallë nuk mundet me i ik e me i bë bisht. Kjo është një e vërtetë e cila kurrë s’ka me ndryshu. Këtu janë njerëzit në këtë parlament ulur që i kanë shkaktuar këtë goditje ndaj Kosovës edhe s’munden me u fsheh edhe s’kanë me mujt me u fsheh”, shtoi ai.
Ai akuzoi ekzekutivin se “nuk kanë marrë masa pas ardhjes së tyre me prodhu, me kriju burime të reja energjetike”, derisa tregoi arsyen se pse nuk e kanë bërë këtë, duke përmendur kompanitë fantome si Noa Energy Trade dhe ETMT, të cilat theksoi se kanë lidhje me pushtetin, konkretisht me Kurtin dhe Koordinatoren e Komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihali.
“A e dini pse? Sepse rreth tyre janë grumbulluar mafia energjetike e Ballkanit dhe të cilën e dominojnë serbët dhe këtë e dinë shumë mirë të gjithë në këtë sallë dhe ata bashkë me njerëzit e afërt të Kurtit, lidhja e shkurtë Kurti Dejona Mihali krijojnë kompani çdo dy javë”.
“I regjistrojnë në Shqipëri i bijnë në Kosovë kompani fantazmë. Njëra e ka emrin Noa, tjetra e ka emrin ETMT e kështu me radhë, por gjithë në këto kompani asnjë i afërt i Albin Kurtit i instruktores së tij, i njerëzve të tij, i Dejonës, janë kujdesur pra kjo mafia energjetike për me mbyllë qarkun e tregtisë me energji, janë kujdesur me i kontrollu të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me energji, askush prej juve këtu s’mundeni me emëru dikë në KEK, deputet as ministra të VV-së në KEK vetëm Albin Kurti dhe Dejona vendos”, deklaroi ai.
Po ashtu, Haradinaj potencoi se në “ZRRE vetëm Albin Kurti dhe Dejona vendosin”. “E tani edhe në KOSTT një nip i ministri është kryeshef e me ligjin e ri po i propozohet Kosovës mos me i raportu KOSTT-i Parlamentit, po me i raportu Qeverisë se po dojnë me mbyll qarkun e tregtisë së energjisë”.








