Ministria e Tregtisë ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 35 mijë eurosh ndaj KEDS, pas verifikimeve laboratorike të realizuara nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës lidhur me njehsorët elektrikë të konsumatorëve që kishin paraqitur ankesa.
Sipas njoftimit, Komisioni Verifikues për njehsorët elektrikë ka kontrolluar gjithsej 16 njehsorë, ku janë konstatuar një sërë parregullsish.
Nga rezultatet e verifikimit laboratorik, në 6 raste është konstatuar se njehsorët kishin afat të skaduar të verifikimit, ndërsa në 6 raste të tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë. Gjithashtu, në një rast është konstatuar heqje e miratimit të tipit të njehsorit elektrik, ndërsa 3 njehsorë të tjerë mbeten ende në procedurë të verifikimit laboratorik.
Bazuar në këto gjetje, MINTI ka marrë vendim për shqiptimin e gjobës prej 35 mijë eurosh ndaj KEDS-it, për shkak të shkeljeve të evidentuara gjatë procesit të verifikimit.
Më 4 maj poashtu KEDS është gjobitur me 90 mijë euro tjera, ndërkaq më 16 prill, është gjobitur me 30 mijë euro.









