Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se është nënshkruar një kontratë me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake, AM General, për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë mobile “HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS)”.

“Dje nënshkruam një kontratë kornizë me prodhuesin e njohur amerikan të industrisë ushtarake, AM General. Kontrata përfshin blerjen e sistemeve moderne të artilerisë mobile HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS). Në kontratë përfshihen gjithashtu automjete moderne mbështetëse, pjesë rezervë, mirëmbajtja si dhe trajnimi për operim dhe mirëmbajtje”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Ai ka theksuar se me këtë blerje, ushtria po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta.

“Kjo blerje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe në ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë strategjikë, duke garantuar siguri më të madhe për vendin dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, shtoi.