Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se ka pritur rezultat më të mirë në zgjedhje dhe se nuk do t’i ikë përgjegjësive që ka në lidhje me këtë rezultat.

Këto komente, Hamza i bëri në një konferencë për media – të parën pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

“PDK ka pritur rezultat më të mirë. Unë kam pritur rezultat më të mirë… PDK-ja ka arrit me ruajt votën e vet. Me ruajt elektoratin e vet”, tha Hamza.

Pozita, theksoi ai, i ka edhe përgjegjësitë e veta. “Kur je në pozitë ke edhe përgjegjësi. Unë nuk jam prej atyre që iku dhe fshehëm pas përgjegjësive. Këto ditë do të kemi takime me strukturat e PDK-së. Vendimet i marrë në kohë dhe të analizuara mirë”.

Hamza deklaroi se pas këtij rezultati të zgjedhjeve, pret që të konstituohen institucionet.

“Pres të konstituohen institucionet, të vazhdon puna pasi mjaftueshëm kemi pas bllokada dhe secili ta kryen punën e vetë”, shtoi.

Me 99.65 për qind të votave të numëruara, VV-ja ka fituar zgjedhjet parlamentare me 49.30 për qind. E dyta renditet PDK-ja me 21 për qind, e treta LDK-ja me 13.57 për qind dhe e katërta AAK-ja me 6.68 për qind.