Hysni Gucati, Kryetar i OVL-UÇK-së, ka thënë se në protestën e 16 nëntorit në Strasburg të Francës kundër Gjykatës Speciale, do të marrin pjesë rreth 6 mijë njerëz.
“Ne presim dikund numrin mbi 5 mijë deri në 6 mijë vetë të jenë para Strasburgut atë ditë”, tha Gucati për “Ekonomia Online”.
Ai theksoi se nga Kosova beson se do të jenë mbi 1 mijë qytetarë që do të shkojnë në Strasburg për të protestuar.
Gucati theksoi se tanimë në hotelet e Strasburgut “nuk ka vende”, pasi që, sic potencon ai, janë rezervuar nga shqiptarët.
“Kjo është e vërtetë. Nuk ka vend në hotele që e kanë bë rezervime shqiptarët, kanë bë rezervime shumë, e kanë blloku Strasburgun, kjo është shumë e vërtetë”, shtoi.
Protesta në Strasburg mbahet pas atyre që u organizuan në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë ku dhjetëra mijëra shqiptarë protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.








