Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka kërkuar falje për artikullin ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës sulmohej rëndë, e në të cilin ai ishte bashkautor me maqedonasen Jana Arsovska. Tha se ishte i pakujdesshëm dhe se artikullin nuk e ka lexuar fare 13 vjet deri sa ai u publikua në media.
“Kapitulli 3 ka qenë fusha ku unë kam studiu dhe kam qenë ekspert i çështjes. Prej meje më është kërku një kapitull për fushën që ti ki hulumutime. E kam dorëzu me bindjen që ka me u publiku kapitull i veçantë, po jo se do të del bashkëautorësi. Unë s’kisha pranu me qenë bashkautor. Në asnjë moment nuk e kam ditë që do të publikohet bashkëautorësi. Kjo ka qenë në vitin 2012 dhe nuk e kam lexu kurrë, hera e parë ka qenë këtu që e kam lexu. Pajtohem që është dashtë me kanë ma i kujdesshëm, s’e kam lexu atë artikull kurrë. Po pajtohem se du me mbajt një barrë të përgjegjësisë. Në asnjë moment s’e kam pa artikullin që ka dalë. Pajtohem dhe kërkoj falje për pakujdesinë time. Pajtohem që duhet me u akuzu që kam qenë i pavëmendshëm dhe pakujdesshëm. Unë kam dërgu imellën ku them që ju lutem e tërheqni edhe kapitullin edhe emrin tim”, tha ai.
Në punimin e Bashës, të publikuar më 22 gusht 2012, në bashkëautorësi shkruante se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), bashkëpunoi me kriminelë brenda dhe jashtë Kosovës.
“Ka pasur akuza të shumta nga agjencitë perëndimore të zbatimit të ligjit se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), gjatë ngritjes së saj, bashkëpunoi me kriminelë shqiptarë etnikë brenda dhe jashtë Kosovës”, shkruante Basha në këtë punim, të realizuar bashkë me maqedonasen Jana Arsovska.
Basha shkruante se “fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Evropën Perëndimore dhe SHBA-në”.