Paul McCartney ka konfirmuar se albumi i tij i ri do të përfshijë një këngë të quajtur “Home To Us” – e cila do të jetë dueti i tij i parë ndonjëherë me legjendën tjetër të grupit The Beatles, Ringo Starr, si dhe do të ketë pjesëmarrjen e Chrissie Hynde dhe Sharleen Spiteri.
Kënga – që fokusohet te rritja e tyre në Liverpool – do të jetë pjesë e albumit “The Boys Of Dungeon Lane”, i cili do të publikohet më 29 maj dhe shënon albumin e parë të McCartney që nga “McCartney III” i vitit 2020.
Në këtë album, McCartney do të ndajë kujtime të papublikuara më parë nga vitet e tij formuese në Liverpool, në atë që është përshkruar si “albumi i tij më introspektiv deri më sot”.
Albumi tashmë është prezantuar me singlin kryesor “Days We Left Behind”, dhe gjatë një eventi special për fansat në Abbey Road Studios, mbrëmjen e 5 majit, Macca zbuloi duetin e tij të parë me Ringo Starr.
E quajtur “Home To Us”, kjo është hera e parë që një këngë solo e McCartney përfshin ish-shokun e tij të grupit te The Beatles, dhe gjithashtu do të jetë e vetmja këngë në albumin e ardhshëm që do të ketë një baterist të ftuar.
Andrew Watt është producent i projektit, ndërsa McCartney luan shumicën e instrumenteve në album – ngjashëm me albumin e tij debutues solo të vitit 1970, “McCartney”.
“Ringo erdhi në studio dhe luajti pak bateri. I thashë Andrew: duhet të krijojmë një këngë dhe t’ia dërgojmë atij. Kështu që, kjo këngë është bërë plotësisht me Ringon në mendje”, shpjegoi McCartney.
“Teksa shkruaja këngën, po flisja për vendin nga kemi ardhur. Si shumë njerëz, ti vjen nga asgjëja dhe ndërton veten. Ringo vinte nga Dingle dhe ajo zonë ishte shumë e ashpër. Ai thoshte se e grabisnin rrugës për në shtëpi, sepse punonte. Edhe pse ishte e çmendur, ishte shtëpia jonë”.
“E ndërtova këngën rreth kësaj ideje dhe ia dërgova Ringos. Ai më ktheu një version ku kishte shtuar disa rreshta në refren, kështu që mendova: ndoshta nuk i pëlqen. E telefonova dhe ai më tha se kishte menduar që unë doja vetëm të këndonte një ose dy rreshta, ndërsa unë i thashë se do të doja ta dëgjoja të këndonte gjithë këngën. Kështu, morëm vargun tim të parë, vargun e dytë të Ringos, dhe krijuam një duet”.
“Nuk e kishim bërë kurrë më parë këtë. Pastaj, donim disa vokale mbështetëse dhe mendova se do të ishte bukur të dëgjonim zëra femrash. Chrissie Hynde tha se do ta bënte, dhe Sharleen Spiteri gjithashtu – ato janë mike. Kështu që, ato morën pjesë”, deklaroi McCartney.
Përveç eksplorimit të fëmijërisë së tij në Liverpool, “The Boys Of Dungeon Lane” pritet ta tregojë McCartney në një gjendje të sinqertë, të brishtë dhe thellësisht reflektuese, duke shkruar me një hapje të rrallë.









