Të enjten, dhjetë vjet pas vdekjes së Astrit Deharit, Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje u ndalën para varrit të tij. Ishte homazhi i radhës për një ish-aktivist të partisë, emrin e të cilit ka kohë që e kanë shndërruar në simbol të premtimit për drejtësi.

Edhe në këtë përvjetor, Kurti përsëriti se Astrit Dehari është vrarë. “10 vjet më vonë, ne nuk e dimë emrin e vrasësit të Astritit…”, tha ai.

Fjalët i tha njeriu që prej më shumë se gjashtë vjetësh udhëheq shtetin, pra që mban vetë çelësat e drejtësisë që e ka kërkuar.

Në vitin 2017, kur ishte ende lider i opozitës, Kurti e kishte shprehur qartë ku e shihte zgjidhjen. “Astrit Dehari është mbytur në burg. Është Qeveria e Vetëvendosjes ajo që do ta çlirojë sistemin e drejtësisë nga ekzekutivi dhe do të zbardhet ky rast”, thoshte ai.

Qeveria e Vetëvendosjes erdhi, por rasti mbeti aty ku ishte. Pak muaj pasi mori pushtetin, më 5 nëntor 2021, Kurti përsëriti të njëjtin angazhim: “Ai u mbyt në burg, në burgun e Prizrenit më 5 nëntor të vitit 2016 dhe sot e kësaj dite ne nuk mund të jemi të qetë përderisa nuk ka drejtësi për Astritin, përderisa përgjegjësit nuk janë gjykuar e dënuar dhe përderisa nuk është zbardhur në plotni e vërteta për të.”

Pesë vjet më vonë, fjalimet e tij kanë mbetur pothuajse të njëjta me ato të opozitës. Atë që nuk ka dhënë ende është shpjegimi pse rasti nuk ka marrë epilog.

Besimi i Vetëvendosjes se Dehari ishte vrarë nuk u lëkund as kur erdhi në pushtet, megjithëse raportet ndërkombëtare për rastin nuk e konstatonin këtë. Si Kurti, ashtu edhe eksponentë të tjerë të partisë, premtuan se rasti do të zgjidhej. Ndër zërat më të fuqishëm ishte Albulena Haxhiu.

Në shkurt të vitit 2020, kur u bë për herë të parë Ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti 1, Haxhiu vizitoi qendrën e paraburgimit në Prizren, ku kishte vdekur Dehari. Që aty tha: “Ne nuk do të ndalemi derisa drejtësia për Astritin të vihet në vend”. Pak ditë më vonë, më 16 shkurt, shtoi: “Besoj fuqishëm që rasti i Astrit Deharit do të zbardhet sa më parë.”

Edhe më personale u tregua më 30 shtator 2022, në një intervistë televizive, kur ishte ministre në Qeverinë Kurti 2. Rasti Dehari, tha ajo, është “diçka që nuk më lë të qetë gjatë gjithë mandatit tim, diçka që edhe gjumin nuk mundesh me e bë bash rehat”. Premtoi se do të bënte “gjithçka brenda kompetencave të mia që përgjegjësit të dalin para drejtësisë”.

Por, as në qeverinë e parë, ku qëndroi shkurt në krye të Drejtësisë, as në të dytën, ku e drejtoi dikasterin për katër vjet, nuk pati rezultat për zbardhjen e rastit. Përkundrazi, mandati i saj solli një tjetër shqetësim. Në dhjetor të vitit 2022, Haxhiu doli para mediave për të treguar se ishin humbur mostrat e Deharit, të cilat ruheshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sot ajo nuk është më ministre e Drejtësisë. E la postin për t’u bërë kryetare e Kuvendit, pa e zgjidhur rastin për të cilin kishte thënë se nuk i linte gjumë.

Astrit Dehari ishte aktivist i Vetëvendosjes. U gjet i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016, kur ishte i dyshuar për sulmin me zollë në Kuvend, më 4 gusht të të njëjtit vit. Dhjetë vjet më vonë, partia e tij është në pushtet, rastin nuk e kanë zgjidhur.