Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se festa e 28 Nëntorit është e mangët pa ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, por shprehu besimin se ata do të kthehen dhe festën e ardhshme të nëntorit do ta shënojnë së bashku në Kosovë.

“Ju urojmë katër festat e nëntorit: festën e vitit 1443, ngritjen e flamurit në Krujë nga Skënderbeu; shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912; datëlindjen e komandantit legjendar më 1955; dhe daljen në skenë të UÇK-së. Këto festa janë të mangëta sepse ne i kemi krerët e UÇK-së në Hagë, ku padrejtësisht po mbahen nga një gjykatë”, tha Gucati pasi bëri homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.