Në këtë hapësirë në Obiliq, krejt pranë Termocentralit Kosova B, sot do të duhej të ishte edhe gjiganti Kosova e Re, apo Kosova C, e cila këtë vit do të fillonte prodhimin.

Vlera e investimit parashihej të ishte 1 miliard euro dhe investimi nuk do t’i kushtonte Kosovës, meqë do të ishte investim privat nga kompania amerikane Kontur Global.

Sipas planifikimit, Kosova e Re do të prodhonte 500 megavat për orë, 12 mijë megavat në ditë, 84 mijë megavatë në javë e 4 milionë e 380 mijë megavatë në vit.

Sipas kontratës që Kosova do ta nënshkruante me operatorin privat, kompania do të operonte 20 vjet e më pas termocentrali do t’i takonte Kosovës.

E mira e gjithë kësaj ndërmarrjeje ishte se çmimi do të ishte fiks për konsumatorin, më së shumti 80 euro për megavat. Nuk do të ndryshonte edhe nëse ndryshojnë çmimet në treg.

Do të fillonte të prodhonte këtë vit, pra në 2025-n.

Po ashtu, pjesë e marrëveshjes ishte që qymyri të blihej nga Korporata Energjetike e Kosovës, e uji t’i paguhej Ibër Lepencit.

Veç kësaj, si pjesë e projektit ishte edhe hapja e një fabrike të gipsit, që do të prodhonte gips nga mbetjet. Edhe kjo do t’i mbeste shtetit.

E më e mira nga të gjitha, për shkak të teknologjisë moderne, impakti në ambient do të ishte zero, meqë termocentrali nuk do të lëshonte tym në ambient dhe nuk do të kishte oxhak fare.

Një pjesë të investimit për ta ndërtuar termocentralin do ta mbulonte vetë kompania, kurse pjesën tjetër institucionet financiare ndërkombëtare, siç ishte Banka Botërore e Banka për Rindërtim dhe Zhvillim, përmes huave.

Por kjo nuk ishte hua që e merrte Kosova ose që duhej ta kthente Kosova, por vetë kompania. Kosova thjesht duhej ta garantonte kompaninë që do t’ia blinte të gjithë energjinë që prodhonte kompania. Çmimi do të ishte fiks 80 euro megavati.

Sa për krahasim, sot Kosova blen megavatin edhe deri me 800 euro e ndonjëherë edhe më shumë.

Siç parashihej, Kosova formoi edhe një ndërmarrje të quajtur “Ndërmarrja e Re Kosovare e Energjisë”, përmes të cilës do ta blinte energjinë nga Contour Global e më pas do ia shiste KESCO-s aq sa kishte nevojë, e pjesën tjetër mund ta shiste ku të donte.

Po ashtu, përmes një procesi që quhet ko-gjenerim, ku bashkë me energjinë elektrike prodhohet edhe energji termike, me Kosovën e Re do të futeshin në ngrohje edhe rreth 20 mijë konsumatorë në Prishtinë, Obiliq e Fushë Kosovë.

Në anën tjetër, kompania Contour Global, kompani amerikane me renome ndërkombëtare që në kohën kur u përfshi në Kosovë ishte aktive edhe në 80 projekte të tjera energjetike nëpër botë, do ia jepte qysh në start komunës së Obiliqit plot 10 milionë euro për projekte që ndihmojnë në ambient.

Banka Botërore po përfshihej sepse, siç e thoshte Jan-Peter Olters, përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Kosova qëndron e ulur mbi 11–14 miliardë ton rezerva të vërtetuara dhe të shfrytëzueshme të linjitit, të cilat, me normat aktuale të konsumit, do të zgjasnin edhe për 1,500 vjet.

“Këto rezerva të linjitit nuk janë sekret, shfrytëzimi i tyre është relativisht i lehtë dhe investitorët potencialë po presin në prapaskenë, me një sërë idesh dhe planesh.”

Po ashtu, çështja e ambientit, argument mbi të cilin u kundërshtua ndërtimi i termocentralit, nuk ishte fare arsye. Kjo sepse plani i prezantuar atëherë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ishte ky: rreth vitit 2023, Termocentrali më i vjetër dhe ndotësi më i madh në Kosovë, Kosova A, mbyllej krejtësisht. Vazhdonte tash vetëm Kosova B me financime dhe Kosova e Re.

Kosova nënshkroi kontratën me kompaninë amerikane më 20 dhjetor 2017.

Kjo foto, ku po e shihni Hashim Thaçin, President i Kosovës atëherë, Ramush Haradinajn, Kryeministër, Kadri Veselin, Kryeparlamentar dhe ambasadorin amerikan Greg Delawie, është foto nga nënshkrimi i marrëveshjes me Contour Global.

Delawie po ashtu atë ditë u shpreh se “Kosova e Re do të ndërtohet në bazë të standardeve më të larta evropiane për mjedisin, do të prodhojë shumë më pak ndotje sesa termocentralet aktuale të Kosovës. Ky projekt gjithashtu është investimi më i madh i huaj në historinë e Kosovës. Kjo arritje është indikacion i qartë për mua se Kosova është gati për më shumë investime private nga e gjithë bota”, tha Delawie.

Contour Global ishte veç investitori; termocentrali do të ndërtohej me kompani të tjera që do të angazhoheshin.

A e keni idenë se cilat kompani ishin angazhuar për ta ndërtuar? Kompanitë më të mëdha e më prestigjioze botërore.

Koncersiumi General Electric, bashkëpunim i kompanive gjermane e franceze. Mitsubishi Hitachi nga Japonia. Técnicas Reunidas e Spanjës. Hyundai, Toshiba, Siemens e plot gjigantë të tjerë ndërkombëtarë.

Ky ishte lajmi më i madh e më pozitiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare prej pasluftës.

Por gjithçka u ndërpre.

Një kombinim mes disa aktorëve të shoqërisë civile, siç ishte Jeta Xharra, Haki Abazi, Luan Shllaku e të tjerë, me argumentin e mbrojtjes së ambientit, dhe Lëvizja Vetëvendosje me argumente politike se si kinse po sillej një kompani për t’i eksploatuar qytetarët e Kosovës, e ndalën.

Jeta Xharra madje kishte shkuar deri në Afrikë duke prodhuar fake news se si kinse një situatë e ngjashme e ka dëmtuar Afrikën e Jugut. Ajo ndiqte edhe zyrtarët e Bankës Botërore kudo ku i gjente. Vetëvendosja vazhdimisht publikonte e mbante konferenca kundër. Pastaj kombinoheshin edhe në parlament. Kërkohej edhe rrëzimi i qeverisë për këtë kontratë me kompaninë amerikane.

Ramush Haradinaj, atëherë Kryeministër, mundohej ta bindte popullin se nëse nuk ndërtohet termocentrali, Kosova do të mbetet e varur nga Serbia, por kot.

“Nuk mundesh Liburn me i ikë të vërtetës që nëse s’e ndërtojmë na një kapacitet që blejmë  qitu për skaj nuk blejmë as në Shqipni. Unë po ju thom që ju po lypni me ble na në Serbi rrymën. Qekaq është kjo.” Deklaronte Haradinaj.

 Njëjtë edhe atëherë përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në parlament, Memli Krasniqi. Prapë kot.

“Mos ndërtimi i këtyre kapaciteteve do të nënkuptonte ekspozimin e vendit në mënyrë të pamëshirshme ndaj tarifave të importit.” Deklaronte Krasniqi.

Populistët dhe ata që dëshironin Kosova të mos pavarësohej me energji dhe të vazhdonte varësinë nga Serbia, fituan.

Banka Botërore u tërhoq. Por, përkundër kësaj, kompania amerikane tha se do ta vazhdojë investimin. Megjithatë, në Kosovë pati zgjedhje. Vetëvendosja doli e tha se nga veprimet e para që do të bënte ishte ta prishte kontratën. Kështu edhe investitori amerikan u tërhoq.

“Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhej në njoftimin e Contour Global.

Për shkak se nuk i qëndruan kontratës, Kosova u hodh në Arbitrazh Ndërkombëtar nga kompania amerikane dhe e humbi rastin, duke u detyruar të paguante dëmshpërblim prej 20 milionë eurosh. Qeveria e Albin Kurtit, pa bërë zë, i pagoi.

“Sot po ndajmë mjetet për arbitrazhin që kompania Contour Global ka fituar ndaj Kosovës. Duke pasë parasysh atë kontratë siç e tha edhe Ministri Murati kjo megjithatë është e keqja më e vogël.” Kishte deklaruar Kurti në mbledhje te qeverisë.

Kosova sot nuk e ka ndërtuar asnjë kapacitet nga energjia e ripërtëritshme siç thuhej, Kosova A, ndotësi më i madh në Evropën Juglindore, vazhdon të prodhojë e ndotë ambientin dhe Kosova mbetet krejtësisht e varur nga Serbia për import të energjisë.

Forcat e errëta fituan. Jeta Xharra më kurrë s’u mor me çështje të energjisë e as të ambientit. Qeveria e Vetëvendosjes kurrë më nuk ndërtoi ndonjë kapacitet të ri dhe kompanitë që fitojnë qindra miliona nga importi i rrymës nga Serbia vazhdimisht dalin të lidhura disi me Vetëvendosjen, duke filluar nga vetë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Derisa çmimi i rrymës kurrë s’ka qenë më i shtrenjtë në Kosovë.

Më vonë kam kuptuar se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte gjetur se një grup njerëzish në Kosovë kishin marrë para të majme nga kompani ballkanike, kryesisht serbe, për të kundërshtuar ndërtimin e termocentralit të ri dhe për të bindur popullin në Kosovë se nuk duhej ndërtuar.

Informatat do të duhej të gjendeshin edhe sot në AKI, nëse tashmë pushteti nuk i ka zhdukur dikah, siç ka zhdukur të dhënat e dyshimta për Martin Berishajn.

Kjo është një nga historitë më tragjike të Kosovës. Një termocentral që do stabilizonte vendin, do ta bënte të pëlqyeshëm për investime ndërkombëtare, do ta shkëpuste përhershëm nga varësia energjetike nga Serbia dhe do të krijonte kaq shumë vende pune e impakt të madh në ekonomi, u kthye në një nga kronikat më të tmerrshme të Kosovës së pasluftës, ku fuqitë e liga dhe financimet e mëdha të dyshimta e bindën popullin e shkretë dhe fituan kundrejt argumentit, të vërtetës dhe zhvillimit.