Fatmir Sheholli ka qenë aktiv gjoja në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të fundit. Shumë studio televizive i kanë pasur dyert e hapura për të, çuditërisht.
Por historia e tij gjatë dhe pas luftës është krejt tjetër, dhe lidhet jo fort për të mirë me UÇK-në.
Fatmir Sheholli është djali i Maliq Shehollit, i vrarë në vitin 1997, për çka një komunikatë në emër të UÇK-së e kishte marrë përsipër aktin.
“Më 26 dhjetor 1996 dhe më 9 janar 1997, njësitë tona të armatosura në zonën operative numër 1 kryen dy atentate kundër bashkëpunëtorëve të okupatorit serb në Kosovë,” thuhej në komunikatën e lëshuar më 12 janar 1997.
“Atentati i parë u krye kundër Fail Bellopojës në fshatin Besi të Podujevës, veprimtaria e të cilit u vlerësua si tejet e rrezikshme dhe antikombëtare, ndërsa i dyti kundër Maliq Shehollit, deputet i PSS, bashkëpunëtor i vjetër i UDB-së, pjesëmarrës në varrimin e antishqiptarit dhe kriminelit serb Millosh Nikoliq (i ekzekutuar nga njësitë tona më 25 tetor 1996), ku mbajti edhe një fjalim mortor,” thuhej në komunikatën me numër 28.
Edhe vetë Sheholli në atë kohë kishte akuzuar UÇK-në për vrasjen.
“Para dy vitesh, në janar 1997, UÇK-ja e vrau babain tim. E quajtën ‘tradhtar’ dhe e vranë vetëm sepse ai mbështeste Jugosllavinë dhe qeverinë serbe, jo regjimin e UÇK-së. Ai dëshironte të jetonte së bashku me të gjitha grupet etnike në Kosovë,” kishte deklaruar ai për mediat serbe.

Por vite më vonë, gjatë një debati në Klan Kosova, Sheholli dha shenja se situata nuk ishte ashtu siç thuhej në komunikatë.
“A ka lëshuar komunikatë UÇK-ja? Tash ta kallëxoj një muhabet tjetër. Edhe ky thotë e ka vrarë, njerëzit që janë në Hagë, kështu thua ti. Nuk mundet me sqaru. Nuk ka sqarim këtu. Kqyre ku është pas komunikatës: Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut: Maliq Sheholli u vra në rrethana të pasqaruara,” tha ai në një përballje televizive.
Gjatë luftës, familja e gjerë e Maliq dhe Fatmir Shehollit botoi një tekst në gazetën “Bujku”, ku distancoheshin nga qëndrimet e tyre, për shkak të deklarimeve kundër popullit të Kosovës.

Fatmir Sheholli, në vitin 2023, në një debat në Klan Kosova e kishte pranuar se gjatë bombardimeve të NATO-s kishte punuar për një televizion serb.
“Po, gjatë bombardimeve të NATO-s kam punuar në televizionin nën Zoran Angjelkoviq”, kishte thënë ai.
Sot, Fatmir Sheholli u arrestua për spiunazh dhe u dërgua në mbajtje për 48 orë.
“Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale ‘Spiunazh’. I dyshuari u arrestua në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Spiunazh’, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së. Operacioni i arrestimit u krye edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
“Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim sigurimin e provave të tjera materiale.”









