Të premtën e 26 qershorit në Tetovë do të organizohet marsh protestues me moton “Historia nuk abrogohet”. Arsye e këtij marshi është kundërshtimi ndaj ndryshimit të emrave të rrugëve, shesheve dhe hapësirave publike, që sipas organizatorëve “lidhen me identitetin dhe historinë e shqiptarëve”.
“Protesta parashikohet të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe qytetare, duke dërguar një mesazh të qartë se historia dhe identiteti nuk mund të fshihen apo të ndryshohen me vendime administrative”, thanë organizatorët e marshit.

Çka ka ndodhur me emrat e rrugëve në Maqedoni të Veriut?
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka pranuar iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës të vitit 2007 për emërtimin e rrugëve dhe shesheve, duke e shfuqizuar atë vendim.
Iniciativa ishte dorëzuar nga Lidhja e Luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare (LNÇ) e Tetovës në shkurt të këtij viti. Ankuesi Darijan Sotirovski vlerësoi se vendimi i vitit 2007 ishte marrë në kundërshtim me ligjin, duke zëvendësuar emrat e figurave maqedonase dhe të koalicionit antifashist.
Me vendimin e vitit 2007, Komuna e Tetovës kishte emërtuar rrugë dhe sheshe me emra si “Iliria”, “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara” dhe “Kongresi i Manastirit”, emërtime që janë përdorur nga autoritetet komunale deri më sot.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, i cili e ka kritikuar ashpër vendimin, duke e cilësuar atë si një hap prapa për të arriturat e shqiptarëve pas vitit 2001.
“Gjykata destabilizuese e Maqedonisë së Veriut anuloi emrat e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, të miratuara që në vitin 2007, duke rikthyer emërtimet e vjetra. Ju pengojnë emrat si sheshi ‘Iliria’, ‘Dëshmorët e Kombit’, ‘Dervish Cara’, ‘Kongresi i Manastirit’ etj.”, ka shkruar Ademi.
Ai ka shtuar se ky është “fytyra e vërtetë e pushtetit të sotëm”, duke aluduar edhe në rikthimin e emërtimeve të vjetra të rrugëve. “Le t’i gëzojnë tash përsëri emrat si Marshali Tito, se edhe ashtu poezi i kanë kushtuar”, ishte shprehur Ademi.
Reagim kanë lëshuar edhe vetë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) duke e cilësuar atë vendim si pjesë të një procesi më të gjerë të, siç tha partia, “çmontimit të arritjeve politike të shqiptarëve”. Sipas BDI-së, rikthimi i emrit “Marshal Tito” në sheshin qendror të Tetovës nuk është rast i izoluar, por dëshmi se “institucionet e shtetit po përdoren për të fshirë gjurmët e barazisë së fituar me dekada përpjekje politike”.
Ndaj vendimit ka reaguar edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, i cili e ka cilësuar atë si “ditë të zezë për shqiptarët”. Osmani tha se shfuqizimi i emërtimeve të rrugëve dhe shesheve në Tetovë përbën “një tjetër goditje ndaj identitetit shqiptar” dhe akuzoi kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, si dhe koalicionin VLEN për përgjegjësi politike, duke shtuar se “shqiptarët nuk do ta harrojnë”.









