Më 24 qershor 2020, një udhëtim i Hashim Thaçit për në Washington u ndërpre në mes të rrugës.
Ai po shkonte atje për një ngjarje historike – nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës e Serbisë, në Zyrën Ovale, në prezencën e Presidentit Donald Trump.
Por, një fletërrufe nga Haga e ndryshoi rrjedhën e historisë.
Prokurori i Specializuar në Prokurorinë e Gjykatës së Hagës bëri publike një aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, të paraqitur pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 prill 2020.
Hashim Thaçi nuk shkoi në Washington, por u kthye në Prishtinë për t’i dhënë mesazh popullit për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare.
Në shtator të po atij viti, një person i maskuar do të çonte dosje në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Krerët e saj do t’i prezantonin ato para publikut.
Në to, thuhej se dëshmohej një bashkëpunim i Speciales me shtetin e Serbisë.
Pak ditë pas këtij zhvillimi, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati do të arrestoheshin e akuzoheshin për pengim të drejtësisë.
Më 4 dhe 5 nëntor, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi u transferuan në Hagë.
Ata do të përfshiheshin në një aktakuzë që e cilësonte UÇK-në si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Më 9, 10 dhe 11 nëntor 2020, të katërtit do të paraqiteshin në seancë dhe do të deklaroheshin të pafajshëm.
Më shumë se dy vjet, procesi do të shkonte vetëm në çështje procedurale.
Më 3 prill 2023 filloi gjykimi.
Ai u përcoll në pjesën më të madhe të tij me seanca private, e më pas me disa publike, me dëshmitarë të atillë që flisnin për konflikte personale me ish-ushtarë të UÇK-së për çështje arash e lopësh.
Prokuroria përfundoi me dëshmitarët e vet më 15 prill 2025.
Të hënën, më 15 shtator, është radha e mbrojtjes – dëshmitarë ndërkombëtarë, figura të rëndësishme amerikane e britanike do të nisin të dëshmojnë në anën e mbrojtjes së Hashim Thaçit. Pas dëshmitarëve të tij, do të paraqiten disa të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.
Në fund të nëntorit pritet të mbyllen seancat me dëshmitarë. Në dhjetor, palët do të paraqesin me shkrim fjalët përfundimtare.
E nga ajo kohë, perdja bie – paneli i gjyqtarëve, që u panë me dyshim për shkak të pyetjeve të tyre që kryesisht anonin kah tregimi i prokurorisë, do të mbyllet për marrjen e vendimit.
Nuk ka ende një datë se kur do të shpallet aktgjykimi, por pritjet janë diku në shkurt ose mars të vitit 2026.
Për këto pesë vjet, mijëra njerëz kanë vizituar në Hagë krerët e UÇK-së. Dy protesta madhështore janë mbajtur në Prishtinë dhe dy në Hagë.
Kadri Veseli ka humbur të dy prindërit derisa ishte në paraburgim. Atij iu lejua vizita sa ishin të sëmurë dhe të tjera pas vdekjes së tyre. Ndërsa Hashim Thaçit i vdiq babai. U lejua ta vizitonte para vdekjes vetëm pas disa kërkesave, dhe më pas edhe pasi përfundoi ceremonia e varrimit./VOXKOSOVA