60 mijë euro nën jastëk i ishin gjetur Faruk Mujkes para dy vjetësh kur e bastisi Policia e Kosovës.
Dy vjet më vonë, Prokuroria Speciale ka dorëzuar aktakuzën për anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë i cili kur ishte arrestuar u pat arsyetuar se 60 mijëshja ishte e vjehrrës së tij.
Mujka dyshohet ta ketë kryer veprën jo ligjore të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” në kohën sa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Ai kishte nënshkruar një vendim i cili kishte mundësuar futjen në rendin e ditës në seancën e Kuvendit Komunal diskutimin dhe votimin për tjetërsimin e një prone.
Mujka bashkë me ish-drejtorin për Kadastër Gjeodezi dhe Pronë Hysen Muzliukaj i cili më vonë u akomodua si këshilltar te Ministri Faton Peci kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike.
Dëmi i shkaktuar nga Mujka e Muzliukaj është mbi 125 mijë euro sipas njoftimit të Prokurorisë.
Faruk Mujka përkundër se ishte bastisur e arrestuar ai u shpërblye nga partia me pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci” pozitë që e mban edhe sot.
Në një reagim të çuditshëm të Mujkës në kohën kur u bastis nga policia ai kishte shkruar në Facebook “shumë vetë do të ndihen të turpëruar por mbi të gjitha edhe të çliruar nga puna e lodhshme e shërbyesit të djallit”.
Në kohën e arrestimit të Mujkës e çuditshme po ashtu ishte se avokat mbrojtës iu bë ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri që aktualisht garon për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e LDK-së.
Përndryshe, Mujka akuzohet edhe për “Mosraportim ose raportim i rreme i pasurisë të ardhurave dhuratave dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.