Ish-Komandanti i NATO-s, Wesley Clark, ka treguar se si NATO kishte bombarduar një kolonë me traktorë në Drenicë duke menduar se ata ishin serbë që po digjnin shtëpitë e shqiptarëve, por më vonë kishte kuptuar se ishin vetë shqiptarët që po i digjnin shtëpitë e tyre nga frika se do t’ua merrnin serbët.

Pjesë nga dëshmia e Clark-ut:

Pra, diku nga mesi i prillit, pilotët tanë të A-10, që fluturonin mbi Kosovë gjatë fushatës ajrore, panë një kolonë traktorësh në afërsi të Drenicës.

Dhe këta traktorë ishin të ngarkuar me njerëz.

Tani, ne fluturonim mbi 20,000 këmbë lartësi.

Po shikonin poshtë me dylbi 10x.

Kaq kishim. Dhe po shihnin këtë kolonë traktorësh me njerëz mbi ta, që ndalonin te shtëpitë.

Dhe pastaj shtëpitë viheshin në zjarr. Dhe ne pyesnim veten: Çfarë është kjo?

Kështu që piloti hyri dhe e sulmoi kolonën e traktorëve, duke menduar se këta ishin serbë që po shkonin të sulmonin shqiptarët.

Ditën tjetër, Millosheviç-i solli korrespondentët ndërkombëtarë për ta parë skenën.

Dhe u tregua se njerëzit në traktorë, ose të paktën ashtu siç e kishin paraqitur serbët, ishin fermerë të vrarë nga avionët tanë.

Ne bëmë një hetim. Pilotët betoheshin se nuk do ta kishin ngatërruar kurrë.

U thye zemra kur u përballën me faktet.

Dhe vite më vonë, kur udhëtoj, njerëzit më afrohen dhe shqiptarët më flasin, e kështu me radhë.

Dy-tre vjet më parë, një burrë që takova në aeroport më tha: “Po, unë isha në atë kolonë traktorësh”.

I thashë: “Ti ishe në kolonën e traktorëve? Në Drenicë? Kur u sulmuat?”

Ai tha: “Po”.

E pyeta: “Pse po i digjnit shtëpitë?”.

Ai tha: “Oh, i digjnim ato shtëpi sepse serbët do të vinin t’i merrnin, dhe ne nuk donim që serbët t’i kishin ato”.

I thashë: “Mirë. Besoj kjo është arsyeja”.

Domethënë, këto ishin ndjenjat e asaj kohe. Zemërimi, pasioni, frika. Duhet të kuptoni se si ishte kjo për njerëzit në terren në Kosovë. Aq të frikësuar, aq të vendosur, saqë do të digjnin pronën e tyre vetëm që të mos e merrnin serbët.

Pra, po, ishte vërtet e vështirë t’u thuhej njerëzve më pas: “Qetësohuni, gjithçka do të rregullohet. Mos u shqetësoni. Policia do të kujdeset për gjithçka”.