Zohran Mamdani, socialdemokrati 34-vjeçar, i fokusuar në çështjet e klasës punëtore, që tërhoqi një koalicion të larmishëm vullnetarësh dhe mbështetësish për të shtyrë përpara një fushatë që dikur shihej si e pashpresë, ka fituar garën e zgjedhjeve të përgjithshme për kryetar të Bashkisë së New Yorkut.

Mamdani mundi ish-guvernatorin e Nju Jorkut, Andrew Cuomo, për herë të dytë, duke shkatërruar shpresat e tij për rikthim politik pas humbjes nga Mamdani në parazgjedhjet demokrate të qershorit. Në zgjedhjet e përgjithshme garoi gjithashtu republikani Curtis Sliwa, i cili refuzoi të tërhiqte kandidaturën pavarësisht presionit nga Cuomo dhe mbështetësit e tij.

Duke dalë para mbështetësve mes brohoritjeve në natën e zgjedhjeve në Brooklyn, Mamdani u tha atyre se kanë sjellë një “epokë të re” të politikës në qytet.

“Prej sa mund të kujtojmë, punëtorëve të Nju Jorkut u është thënë nga të pasurit dhe të lidhurit me ta se pushteti nuk u takon duarve të tyre, duar të mavijosura nga ngritja e kutive në dyshemetë e depozitave”. tha ai.

“Këto nuk janë duar të lejuara të mbajnë pushtet. E megjithatë, gjatë 12 muajve të fundit, ju keni guxuar të synoni diçka më të madhe”, vazhdoi Mamdani. “Sonte, kundër çdo pritjeje, ne e kemi kapur atë”, tha ai

Ai u tha mbështetësve se “keni rrëzuar një dinasti politike,” duke iu referuar Cuomo-s.

“I uroj Andrew Cuomo-s vetëm më të mirat në jetën private,” tha Mamdani. “Por le të jetë kjo nata e fundit që e përmend emrin e tij”.

Fitorja e Mamdanit shënon një triumf për krahun progresist të Partisë Demokratike, në një kohë kur demokratët në nivel kombëtar janë të ndarë për mënyrën si të kundërvihen presidentit Donald Trump. Presidenti vetë, lindur në Nju Jork, e ka përbaltur Mamdanin si “komunist” dhe ka sugjeruar se ai “do të merrte kontrollin” e qytetit nëse zgjidhet.

“Nëse ka dikush që mund t’i tregojë një kombi të tradhtuar nga Donald Trump se si ta mundë atë, është qyteti që e nxori në jetë, dhe nëse ka mënyrë për të tmerruar një autokrat, është duke shembur kushtet që i lejuan atij të grumbullojë pushtet”, tha Mamdani pas fitores. “Kjo nuk është vetëm mënyra si e ndalojmë Trump-in, por si e ndalojmë atë që vjen pas tij”.

Rezultatet pritet të kenë jehonë përtej Nju Jorkut, duke rritur profilin dhe platformën e Mamdanit, përfshirë propozimet e tij për ngrirjen e qirasë për banorët në apartamente me qira të stabilizuar, autobusë publikë falas dhe kujdes fëmijësh universal përmes taksimit të të pasurve.

Fitorja që vulos një ngjitje të rrufeshme vjen një vit pasi ai nisi fushatën për kryetar bashkie, me premtimin se do ta bëjë qytetin më të shtrenjtë në Amerikë të përballueshëm për klasën punëtore.

Kush është Zohran Mamdani?

Mamdani hyri në garën për kryebashkiak si një nga disa kandidatët që pak kush i merrte seriozisht, në një garë ku dukej se Cuomo ishte favorit absolut.

I lindur në Ugandë dhe i rritur fillimisht në Cape Town të Afrikës së Jugut, Mamdani u zhvendos në Nju Jork në moshën 7-vjeçare. Ai ndoqi shkollën prestigjioze Bronx High School of Science dhe u diplomua në Bowdoin College. Ai është djali i Mahmood Mamdanit, profesor në Universitetin Columbia, dhe Mira Nair, regjisore indiane e filmave si “Mississippi Masala” dhe “Monsoon Wedding”.

Mamdani ka punuar si këshilltar për strehimin dhe e ka quajtur veten reper i listës C me emrin “Mr. Cardamom”. Karriera e tij afatshkurtër muzikore shpesh u shfaq në fushatat sulmuese të kundërshtarëve të tij.

Videoklipi i këngës rap “Nani,” ku ai i bën homazh gjyshes së tij dhe kulturës së Azisë Jugore në Nju Jork, e tregon atë gjysmë të zhveshur, vetëm me një përparëse, duke parë drejt kamerës teksa lëviz majtas-djathtas. Pamja u përdor gjerësisht në reklama kundër Mamdanit për t’i bërë humor të kaluarës së tij dhe përvojës së pakët qeverisëse.

Një person i fushatës, Andrew Epstein, vuri në dukje se karriera e tij në rep e ndihmoi indirekt në fushatë.

“Një aset i jashtëzakonshëm për këdo që kërkon të kandidojë është guximi përballë sikletit dhe aftësia për ta shtyrë mënjanë prirjen natyrale për të mos iu afruar të panjohurve apo për të mos bërë gjëra ‘qesharake’ para tyre” i tha Epstein CNN-it.

Por Mamdani u ngjit me qëndrueshmëri në fushatë duke prodhuar vazhdimisht video në rrjetet sociale, përfshirë intervista me votues që kishin mbështetur Trump-in në vitin 2024 për shkak të kostos së lartë të jetesës.

Ai zhvilloi një fushatë novatore digjitale në shumë gjuhë, të përqendruar te përballueshmëria. Gjatë fushatës, Mamdani, i cili flet Urdu, publikoi video në Bangla, Spanjisht dhe Arabisht.

Një nga videot e tij më virale trajtoi atë që ai e quajti “halal-flation” — inflacioni i ushqimit halal. Ai intervistoi shitësit e mishit në rrugë për kostot e larta të biznesit dhe shpjegoi se një sistem i vjetruar i lejeve është pjesërisht fajtor për çmimet e larta të ushqimit të lirë.

“Një nga netët më të ftohta të vitit, jashtëzakonisht ftohtë,” kujtonte Epstein. “Ne ishim te Zuccotti Park, dhe Zohrani u kërkonte njerëzve: ‘Do të paguanit 10 apo 8 dollarë për halal?’ Njerëzit kalonin me ngut, dhe ai përballej me refuzim njëri pas tjetrit, por ai nuk dorëzohej kurrë.”

Përfaqësuesit tradicionalë të pushtetit në qytet, përfshirë sektorin e patundshmërive dhe atë të biznesit që shqetësoheshin me identitetin e tij si socialdemokrat, u bashkuan në mbështetje të Cuomo-s dhe dhuruan miliona dollarë për super PAC-et kundër Mamdanit. Udhëheqës të biznesit argumentonin se Mamdani do t’i largonte të pasurit nga Nju Jorku dhe do të dekurajonte bizneset të operonin në kryeqendrën financiare të vendit.