Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri sot homazhe  te varri i Astrit Deharit, dhe sërish e quajti rastin e tij si vrasje.

Ani pse ai vetë dhe eksponentë të tij kishin premtuar zbardhjen e rastit të tij, pesë vjet në qeverisje nuk është bërë asnjë hap.

Zhvillimet e vetme, dhe me shumë pikëpyetje ishin humbja për një kohë e mostrave të Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe më pas edhe djegia e një pjesë e brendshme të objektit.

“Ai u mbyt në burg, dhe sot e kësaj dite nuk ka as të akuzuar, as të gjykuar, e lëre më të dënuar për rastin e tij. Katër prokurorë janë ndërruar: dy kanë qenë të Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe dy të Prokurorisë Speciale, mirëpo nuk ka pasur avancim cilësor. Si Republikë e Kosovës, jemi në gjendje gatishmërie, shumë të vullnetshëm dhe të interesuar që ta ndihmojmë Prokurorinë e Shtetit. Mirëpo, 9 vjet janë shumë. edhe 9 muaj do të ishin shumë pa u zbardhur ky rast, pa u sqaruar e vërteta dhe pa u sjellë drejtësia”, deklaroi Kurti.

Kurti u pyet pikërisht për faktin se ai është në pushtet për gati pesë vjet dhe s’ka asnjë rezultat në këtë rast, çuditërisht, tha se nuk ndërhyjnë në punët e sistemit të drejtësisë – ndërkohë që vazhdimisht kur ka raste për korrupsion në qeverinë e tij – apo lëndë në kushtetuese, nuk heziton ta sulmojë.

“Edhe njëherë i bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë që të bëjë shumë më tepër dhe të angazhohet siç nuk është angazhuar deri më tash, sepse kjo padrejtësi, ky krim është plagë e hapur jo vetëm për familjen Dehari e Vetëvendosjen, por për mbarë familjen tonë shoqërore. Në punën e Prokurorisë dhe të sistemit të drejtësisë nuk mund të ndërhyjmë, janë shtylla të ndara të pushtetit”, deklaroi.

Ai theksoi se shprehin gatishmërinë, vullnetin dhe interesin e tyre për drejtësi.

“Ka shumë mundësi që në këtë rast duhet të hetohet edhe procesi i hetimit që është zhvilluar në fillimet e tij, meqë nëse diçka nis mbrapsht, atëherë bëhet dyfish më e vështirë që të mbarojë mbarë. Si kryeministër, aktivistët tanë, ministrat, deputetët tanë nuk mund të bëhen prokurorë e gjyqtarë”, shtoi Kurti.