Para zgjedhjeve të shkurtit 2021, në një tubim joformal së bashku me Vjosa Osmanin, Albin Kurti u predikonte simpatizantëve të tij se pushteti nuk duhet të shfrytëzohet për punësimin e familjarëve, duke argumentuar se vendi i tyre është në dasma e jo në institucione.
“Është e rëndësishme që përfaqësimin e Kosovës ta kenë njerëzit më të ndershëm dhe më të dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbushë as ministritë me kushëri. Kushërinjtë janë për shtëpi. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministri”, deklaronte Kurti.
Pesë vjet më pas, bashkëshortja e ish-zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishit, Mirjeta Durmishi, njoftoi vetë se është emëruar këshilltare politike e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Madje, ajo u kujdes që falënderimin ta adresonte drejtpërdrejt te kryeministri Kurti.
“Faleminderit kryeministër Kurti! Faleminderit ministër Vitia! Jam e nderuar që, nga sot, të jem këshilltare politike e ministrit më të suksesshëm të Qeverisë së Kosovës, z. Arben Vitia”, shkroi Durmishi.









