Ndonëse qindra qytetarë po protestojnë që nga 25 tetori, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila shpërfaqi një dështim zinxhiror institucional, përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës kanë zgjedhur ta vizitojnë Albulena Haxhiun në zyrën e saj, duke i dhuruar edhe lule.
Njoftimin për këtë vizitë e bëri vetë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se gjatë takimit diskutuan për prioritetet e agjendës gjinore parlamentare, hartimin e ligjeve nga perspektiva gjinore dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit në zbatimin e tyre.
Postimi i Albulena Haxhiut:
Ishte kënaqësi t’i mirëprisja sot përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës, gra me të cilat ndajmë një përkushtim të gjatë për barazinë gjinore dhe avancimin e të drejtave të grave.
Biseduam për përparësitë e agjendës gjinore parlamentare, hartimin e ligjeve nga perspektiva gjinore dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit në zbatimin e tyre.
Shpreha vullnetin dhe përkushtimin tim që gjatë kësaj legjislature ta çojmë më tej këtë agjendë, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e grave, duke u siguruar që barazia gjinore të zërë vendin që i takon në punën dhe vendimmarrjen e Kuvendit.
E çmoj veçanërisht punën shumëvjeçare të Rrjetit dhe të 106 organizatave anëtare, si dhe këmbënguljen e tyre për t’i kthyer të drejtat e garantuara me ligj në të drejta që gëzohen në jetën e përditshme.









