Vetëm pak orë pasi ambasadori britanik në Kosovë tha se dënimet e fundit të Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave dhe jo me gjykimin e shtetësisë, reagime pati nga akterë të PDK-së.

Ndër to, sekretarja e kësaj partie i kërkoi ambasadorit ta shikojë aktakuzën dhe ia rikujtoi se aktgjykimi e kishte cilësuar UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Por, kjo gjuhë çuditërisht po i pengon një deputeti të pushtetit, Mefail Bajqinovcit të VV-së.

Ai po thotë se këto kritika mund të dëmtojnë raportet me partnerët tanë ndërkombëtarë.

“Gjuha e papërgjegjshme e zyrtarëve të lartë të PDK-së ndaj SHBA-së dhe Britanisë së Madhe është e rrezikshme dhe e dëmshme. Kosova duhet t’i ruajë dhe t’i forcojë marrëdhëniet me aleatët e saj strategjikë. Kritikat mund të bëhen, por gjuha që dëmton raportet me partnerët tanë duhet të shmanget”, shkroi deputeti i VV-së.

Sinqeriteti i këtij shkrimi mund të ishte i fortë nëse një realitet tjetër nuk do të ekzistonte në Kosovë.

Pikërisht ky pushtet i ka të thyera raportet me ndërkombëtarët. Sidomos me SHBA-në. Fakt për këtë është edhe vizita e fundit e Kryeministrit të Kosovës në New York, ku nuk u prit nga asnjë personalitet me rëndësi nga Shtetet e Bashkuara.

Po ashtu, SHBA-ja, në shtator të vitit 2025, njoftoi se do ta pezullonte Dialogun Strategjik me Kosovën, duke ia drejtuar gishtin Albin Kurtit.

“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve se veprimet e Qeverisë në detyrë kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e SHBA-së për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta”, shkruante Ambasada Amerikane.