Sipas ish-Prokurorit britanik të Tribunalit në Hagë për ish-Jugosllavinë, Geoffrey Nice, “Gjykata Speciale, nga mënyra se si është krijuar, nga fillimi pasqyronte objektiva të fshehta politike”. Ai, pajtohet me qëndrimet se aktakuza e Prokurorisë kundër krerëve të UÇK-së “pasqyron një narrativë të përqendruar te interesat e Serbisë”.

“Nuk kam pasur arsye të ndjek akuzat e ngritura në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve, dhe nuk e kam bërë këtë. Në konferencë dëgjova argumente se aktakuza e Prokurorisë kundër Thaçit dhe të tjerëve pasqyron një narrativë të përqendruar te Serbia dhe se karakterizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si një strukturë ushtarake e organizuar e angazhuar në një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale (Joint Criminal Enterprise) nuk mbështetet nga aktgjykimet e mëparshme të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY). Asgjë nga kujtesa ime mbi provat e paraqitura gjatë gjykimit të Millosheviqit, e as zhvillimet e mëvonshme, nuk më sugjeron se këto argumente janë të pasakta”, thotë Nice.

Në një shkrim të publikuar në fletushkën online të Konferencës “Ura e Kujtimit” organizuar nga KIPRED dhe “Liria ka Emër”, Nice thotë se Specialja u krijua kryekëput nga presioni i vazhdueshëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në një ndërhyrje të mëvonshme lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC), korrigjova një folës që kishte pohuar se kjo Gjykatë ishte themeluar si rezultat i një vendimi sovran të Kuvendit të Kosovës. I rikujtova të pranishmëve se përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, në realitet, u detyruan ta pranonin këtë gjykatë nën presion të vazhdueshëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara”, thotë Nice.

“Si pjesë e ekipit negociues të Kosovës, kam qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë se Statuti i Dhomave të Specializuara nuk ishte, në asnjë kuptim domethënës, rezultat i një marrëveshjeje me Kosovën. Sapo negociatorët evropianë u përballën me kundërshtime thelbësore nga pala kosovare ndaj draft-statutit, diskutimet praktikisht u ndërprenë. Ajo që pasoi, sipas përvojës sime, ishte imponimi politik i një statuti të hartuar paraprakisht, i formësuar ekskluzivisht nga aktorët e BE-së dhe SHBA-së”, shton.

Sipas Nice, “Kosova nuk pati zë real në miratimin e statutit të Gjykatës Speciale”, ndonëse “ishte ajo që pagoi çmimin e veprimeve të imponuara”, sipas tij, pa siguri se proceset do të sillnin drejtësi.

Siç shprehet ai, “Serbia dukej qartazi shteti që kishte më së shumti gjasa të përfitonte nga një gjykatë e imponuar në mënyrën se si u imponuan Dhomat e Specializuara, të përqendruara vetëm te një etni për luftën e viteve 1998–1999”.

Sir Geoffrey Nice, është jurist dhe avokat i njohur ndërkombëtarisht, me një karrierë të gjatë në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare publike.

Ai ka shërbyer si prokuror në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), ku ka udhëhequr ndjekjen penale në rastin kundër Sllobodan Millosheviqit.