“Kosovë: Shmangie e të gjitha udhëtimeve, përveç atyre thelbësore”, kjo është këshilla që qytetarët britanikë do të vazhdojnë ta marrin në manualin e udhëtimeve të Qeverisë Britanike edhe pas përditësimit të fundit që qeveria angleze bëri më 19 dhjetor 2025.
Mediumi britanik, JOE.co.uk, në një artikull të 18 marsit, e rendit Kosovën bashkë me Korenë e Veriut, Kamboxhian, Kolumbinë, Kubën, Ekuadorin, Ganën dhe 12 shtete të tjera, për të cilat pra thuhet se duhet të shmangen gjithnjë “përpos udhëtimeve thelbësore”.
Edhe përditësimi i fundit i Zyrës së Jashtme në Qeverinë britanike duket se ka të bëjë me zhvillimet në Veriun e Kosovës gjatë vitit 2022, kur minoriteti serb protestonte kundër masave qeveritare për ndalimin e përdorimit të targave të lëshuara nga Serbia.
“Që nga dhjetori i vitit 2022, ka pasur përleshje të dhunshme dhe incidente që përfshijnë granata dhe shpërthime të automjeteve. Tregoni kujdes dhe shmangni tubimet publike, veçanërisht në zonën përreth Urës së Ibrit, e cila ndan Mitrovicën e Veriut dhe të Jugut”, shkruhet në faqen zyrtare të Zyrës së Jashtme britanike.
Veç tensioneve në Veri, Qeveria britanike shkruan edhe praninë e minave në zona të ndryshme të Kosovës e cilësinë e dobët të ajrit.
Ngjashëm me Britaninë ka vepruar edhe Kanadaja, e cila në manualin e shtetit të saj shkruan: “Shmangni udhëtimet jo thelbësore në pjesën veriore të Kosovës për shkak të tensioneve etnike dhe rrezikut të dhunës dhe trazirave civile”.
Paralajmërime të tilla mund të ndikojnë në perceptimin publik të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Magazina e Turizmit thotë se përcaktime të tilla “mund të ndikojnë fort në vendimet e njerëzve për të vizituar një destinacion të caktuar”.









