Vëllai i Agon Zejnullahut, Albani, në një intervistë për VOX Kosova ka thënë se ende nuk ka asnjë informacion për rezultatet e autopsisë së vëllait i cili vdiq në duart e policëve më 7 korrik në Lipjan.
“Me datën shtatë po bëhen dy muaj dhe nuk kemi asnjë informacion zyrtar nga asnjë institucion, nuk dimë as ku gjendet autopsia e vëllait tonë të ndjerë”, tha Zejnullahu.
“Autopsia sa e kemi parë nëpër media thuhet që është në Republikën e Maqedonisë. Çdo ditë që po kalon po bëhet edhe ma e vështirë për neve si familje”, shtoi.
Agon Zejnullahu vdiq me 7 korrik në Lipjan në duart e policisë, gjersa ata po e arrestonin. Njeri nga policët i vendosi gjurin në qafë, e të tjera e mbanin në duar e këmbë. Pesë zyrtarë policorë u arrestuan.








