Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka propozuar lirimin nga detyra të shefes së Shërbimit Intelegjent Shqiptar, Vlora Hysenit. Njoftimin, Rama e ka dhënë përmes një postimi në profilin e tij në X.

“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, shkroi Rama në X.

“Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik”, shton.

Vendimi i Ramës vjen pasi që Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion(SPAK), në Shqipëri, ka pezulluar nga detyra shefen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Sipas raportimit të Top Channel, Hyseni “dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror”.

SPAK, gjatë kësaj të marte, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” për kryespiunen e shtetit shqiptar.

Hyseni, siç raportojnë mediat në Tiranë, akuzohet për përkrahje e autorit të krimit dhe nxjerrje e sekretit.

Ajo dyshohet se ajo ka favorizuar biznesmenin Ergys Agasi.