Kanë kaluar disa orë që kur Fatos Geci, deputet i  Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e akuzoi ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për 245 vrasje, dhe asnjë reagim nuk ka ardhur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook të dielën, Geci e akuzoi Thaçin për vrasjen e 245 “atdhetarëve shqiptarë”.

“Paramendoni thonë me mburrje se, nëse nuk je me atë që vrau Behajdin Allaqin dhe 244 atdhetarë të tjerë shqiptarë, atëherë je me Milloshin”, skandalizoi Geci në Facebook.

Përkundër kësaj deklarate tejet të rëndë e skandaloze, PDK-ja nuk e ka bërë asnjë reagim deri më tash, ndonëse bëhet fjalë për Kryetarin historik të saj.

Përveç që nuk ka reagim zyrtar nga PDK-ja, nuk ka as nga figurat qendrore të kësaj partie.

Akuzën që ia bëri Geci ish-Presidentit, nuk ia ka bërë as Gjykata Speciale, në vendimin skandaloz dënues ndaj tij dhe tre krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Disa muaj më herët, Geci, nga Kuvendi i Kosovës, kishte kërkuar burgim të përjetshëm për Thaçin.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së.

Thaçi u dënua me 25 vjet, Krasniqi me 25, Veseli me 18 dhe Selimi me 13.

Në Kosovë, ky vendim është konsideruar tejet skandaloz dhe i padrejtë.

Kundër aktgjykimit të Speciales, shqiptarët në Kosovë kanë protestuar për 21 ditë me radhë.

Përveç në Kosovë, protesta janë mbajtur edhe në vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Australi.